Lazio e Simone Inzaghit është në superformë. Bardhekaltrit morën fitoren e 5-të rresht mes kampionatit dhe Kupës së Italisë teksa mposhti në stadiumin Olimpico 2-1 me përmbysje Sassuolon e De Zerbit. Nisi keq sfida për Lazion që pas vetëm 6 minutash e pa veten në disavantazh me miqtë që realizuan me sulmuesin kryesor Francesco Caputo. Gjithsesi Lazio i mori shpejt frenat e lojës në dorë dhe në minutën e 25-të riktheu baraspeshën me golin e realizuar nga Milinkovic-Savic. Për të udhëhequr bardhekaltrit drejt suksesit të 4-t radhazi në Serie A, mendoi i përhershmi Ciro Immobile që në minutën e 71-të u gjend në vendin dhe kohën e duhur për të shënuar dhe për t’i dhënë tre pikët Lazios në këtë sfidë. Falë këtij suksesi skuadra e Inzaghit barazoi Napolin në vendin e 6-të në kuotën e 34 pikëve. Vazhdon kriza e Parmës që në ndeshjen e mbrëmjes u mposht 0-2 nga Sampdoria në Enio Tardini. Golat për skuadrën e Ranierit u realizuan të dy në pjesën e parë nga japonezi Yoshida dhe sulmuesi senegalez Balde Keita.
