Real Madrid ka reaguar pas deklaratës së Noel Le Graët kundrejt Zinedine Zidane, fjalë që kanë zemëruar shumë personalitete. “Nuk më intereson nëse Zidane merr drejtimin e Brazilit. Nuk do ia kishte hapur telefonin nëse do më telefononte për t’u interesuar për postin e trajnerit të Francës”, u shpreh kreu i futbollit francez një ditë pasi rinovoi kontratën me Didier Deschamps.
“Real Madrid ankohet për komentet e bëra nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Nöel Le Graët, në lidhje me Zinedine Zidane, një nga legjendat më të mëdha të sportit në botë. Këto komente tregojnë mungesë respekti për një nga figurat më të admiruara nga tifozët e futbollit në mbarë botën dhe klubi ynë është në pritje të një faljeje të menjëhershme.
Zinedine Zidane, kampion i botës dhe Europës që përfaqëson vendin e tij, mes shumë nderimeve të tjera mishëron vlerat e sportit dhe këtë e ka dëshmuar gjatë karrierës së tij profesionale si lojtar dhe si trajner.
Deklaratat e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit janë të papërshtatshme për dikë që ka një përfaqësim të tillë dhe janë në vetvete të papranueshme, si ato që ai bëri edhe për kapitenin tonë Karim Benzema, Topin e Artë aktual, kampion i Ligës së Kombeve me Francën në 2021 dhe fitues i 5 Champions League, ndër shumë nderimeve të tjera”, lexohet në komunikatën zyrtare të kampionëve të Europës.
Zidane ka qenë futbollist dhe trajner i Realit të Madridit, duke fituar 17 trofe në total gjatë aventurave në “Santiago Bernabeu”.
