Një emër i madh i futbollit botëror vesh fanellën e Partizanit. Bëhet fjalë për kampionin e Botës, Bebeto, i cili u shpall kampion me Brazilin në vitin 1994 pasi mundi në finale Italinë. Gjatë një udhëtimi në Brazil, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi u prit nga legjenda e Selecaos, i cili veshi fanellën e kuqe të firmosur nga të gjithë lojtarët e skuadrës kryeqytetase. Vizita e numrit 1 të klubit të kuq lidhet me një bashkëpunim të rëndësishëm që klubi shqiptar synon të nisë me një nga akademitë më prestigjioze të Brazilit. Lajmin e bën të ditur vetë klubi i kuq në faqen zyrtare që thekson se marrëveshja me akademinë mund të konkretizohet shumë shpejt dhe brenda pak kohësh në radhët e Partizanit mund të afrohen emra të talentuar të futbollit brazilian. “Bebeto gjithashtu pritet të vijë në Shqipëri, me ftesë të presidentit të Partizanit, Gaz Demi”, tjheksohet në komunikatë. Pas afrimit të Luciano Moggit por edhe trajnerit Mark Iuliano, Partizani hedh një ytjetër hap të madh për ndërkombëtarizimin e markës së klubit.
