Ndërprerja e pazakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit ka lënë gjurmë te shumë ekipe, gjë që është reflektuar edhe në ndryshimin e menjëhershëm të formës apo qoftë edhe përkeqësimin e situatës. Shembujt më të qartë vijnë nga Gjermania, pikërisht vendi që është shumë më përpara në kohë, krahasuar me shtetet e tjera, madje Bundesliga bëhet gati për të mbyllur javën e 31 dhe është shumë pranë edhe nxjerrjes së verdikteve përfundimtare të këtij edicioni.
Një pjesë e skuadrave ka ndryshuar dhe e ka shfrytëzuar për mirë gjithë atë shkëputje, për shkak të izolimit prej virusit COVID-19, por ky nuk është aspak rasti i Schalke-s, një klub historik në vendin teuton që për më tepër përfaqëson forcën e katërt në kampionatin gjerman, për nga titujt e fituar, pas Bayernit, Nurembergut dhe Dortmundit. Situata ishte e vështirë por tani është përkeqësuar ndjeshëm dhe gjërat pritet të ndërlikohen akoma më tepër pas duelit me Bayerin e Leverkusenit, që është njëherësh edhe takimi përmbyllës i kësaj jave në Bundesligë.
Pas qëndrimit të gjatë për shumë kohë në Zonën Champions klubi nga “Gelsenkircheni” tani noton vazhdimisht në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes dhe e vetmja gjë pozitive për drejtuesit e klubit është që “die konigsblauen” nuk rrezikojnë rrëshqitjen një kategori më poshtë. Trajneri i ardhur nga Anglia David Wagner që në ishull bëri mrekulli me Huddersfield Town zëvendësoi veteranin holandez Huub Stevens dhe skuadra pati një ngritje të menjëhershme duke fituar 4 nga 6 ndeshjet e para.
Pas një faze të parë vërtet shumë dinjitoze për ambiciet e klubit, menjëherë pas ndërprerjes për shkak të pushimeve të dimrit Schalke mposhti Gladbahun brenda në “Gelsenkirchen”, në mesin e muajit janar, duke krijuar idenë e gabuar se gjërat do të vijonin në rrugën e duhur, për të rikthyer klubin në Champions. Që nga ajo kohë gjithçka është kthyer përmbys dhe Schalke jo vetëm që ka lënë Zonën Champions, por tashmë i është larguar edhe Zonës Evropiane, e nevojitet një mrekulli për të kaluar gjithë kundërshtarët e tjerë, për të mbërthyer pozicionin e shtatë, që është edhe vendi i fundit që mundëson Kupat e Evropës nga kampionati gjerman, gjithmonë në varësi të asaj çfarë do të arrijë Leverkuseni prej këtej deri në fillimin e muajit korrik.
Situata te “aspirinat” është shumë më e ndryshme, pavarësisht se ekipi i drejtuar nga holandezi Peter Bosz ka humbur 2 nga 3 sfidat e fundit në Bundesligë. 19 pikët e grumbulluara nga 7 ndeshjet përpara disfatës së pësuar brenda në shtëpi nga “ujqërit” e Wolfsburg-ut shërbyen për t’u afruar ndjeshëm me trenin që të dërgon në Champions, ndërsa humbja 4-2 e javës së kaluar brenda në “BayArena” me Bayernin e Mynihut ishte deri diku logjike dhe e pritshme, për shkak të forcës që paraqesin kampionët në fuqi dhe dominuesit e futbollit gjerman.
Në mesjavë Leverkuseni përfitoi në maksimum nga shorti i lehtë dhe mundi pa shumë vështirësi Saarbrucken-in, ekip kundërshtar nga Liga Rajonale, pra niveli i katërt i futbollit teuton të klubeve, për t’u kthyer pas diçka më shumë se një dekade në finalen e Kupës së Gjermanisë, kompeticion që do të përcaktohet më datë 4 korrik, si zakonisht në kryeqytet në “Olympiastadion”, kupë që “aspirinave” iu mungon që nga viti i largët 1993, sidoqoftë ky vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite trofeu i vetëm që Bayeri ka fituar në vend.
Një tjetër lajm i mirë është riaftësimi i sulmuesit kryesor të ekipit Kevin Volland. Sulmuesi i përfaqësueses gjermane, që përveç të tjerave është edhe zëvendës-kapiten i skuadrës ishte për shumë kohë golashënuesi më i mirë i ekipit, por prej disa javësh është kaluar nga ylli i skuadrës Kai Havertz. Në dy sfidat e fundit me Bayernin dhe Sarbrukenin madje trajneri Peter Bosz ka gjetur hapësirën për ta përfshirë atë si zëvendësues. Të dy ekipeve iu nevojitet patjetër fitorja.
Schalke që numëron pesë muaj pa fitore, me një ecuri me 5 barazime dhe plot 7 humbje, luan shpresat e fundit për të kapur Evropën, ndërsa Leverkuseni në krahun tjetër do të bëj çmos për të ruajtur hapin e Lajpcigut, që renditet në vendin e tretë, 6 pikë më larg. Bayeri ka një kalendar të favorshëm me ekipe si Koln dhe Mainz në shtëpi dhe Hertha-n jashtë, kështu që objektivi Champions është plotësisht i realizueshëm.
Jashtë vazhdon të qëndrojë kapiteni Lars Bender për shkak të një dëmtimi në shputën e këmbës, megjithatë do të mungojë gjithashtu Karim Bellarabi e në dyshim këtë herë është edhe vetë Kai Havertz, gjithsesi klubi nga “Gelsenkircheni” në anën tjetër ka probleme të shumta dëmtimesh, për shkak të problemeve fizike në seri që kanë pushtuar lojtarët e Schalke-s. Në fazën e parë “aspirinat” fituan 2-1 në “BayArena” përpara 30.000 vetëve, ndërsa këtë radhë takimi do të luhet në orën 18:00 kuptohet pa praninë e spektatorëve.