Liga Profesioniste e futbollit e mbledhur në orën 13:00 të kësaj të enjteje, ka vendosur t’i japë fund bojkotit dhe të nisë kampionatin e Kategorisë Superiore më 4 nëntor.
Vendimi erdhi pas përgjigjes zyrtare të të mandatuarit të qeverisë për negociatat, Fidel Ylli, i cili një ditë më parë siguroi se të gjithë kërkesat do të realizohen nga kryeministri Rama, por klubet duhet patjetër t’i japin fund bojkotit.
Një lajm shumë i mirë ky për futbollin në vend, me topin që më në fund do të nisë të rrotullohet që këtë fundjave për raundit e parë të Kupës së Shqipërisë e mesjavën e ardhshme edhe në Superiore.
Qëndrimi zyrtar i Ligës
“Liga Profesioniste e Futbollit vendosi ditën e sotme për nisjen e aktivitetit futbollistik të Kategorisë Superiore për edicionin 2020-2021. Presidentët janë informuar për ecurinë e mëtejshme të procesit dhe arritën në konkluzionin se bojkoti ka arritur qëllimin e tij duke sensibilizuar qeverinë dhe opinionin publik për rëndësinë jetike që kanë këto ndryshime ligjore për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Për këtë arsye si dhe për të ndihmuar futbollistët, të cilët kanë sakrifikuar në këtë periudhë, vendosën unanimisht fillimin e edicionit futbollistik me Kupën e Shqipërisë ditën e diel dhe javën e parë të Kategorisë Superiore të mërkurën.”