Blerja e pjesshme e aksioneve të Manchester United nga Sir Jim Ratcliffe duket një formalitet, me miliarderin britanik që po mbyll procedurat e fundit për sigurimin e 25% të United për 1,3 miliardë paundë.
Megjithatë, pikëpyetja më e madhe e këtyre ditëve është se cili drejtor sportiv do të emërohet tek 20-herë kampionët e Anglisë. United nuk ka pasur një hierarki të qartë sportive që prej largimit të Sir Alex Ferguson dhe David Gill, ndërsa së fundmi u shkarkua edhe Richard Arnold, që merrej jo vetëm me anën sportive, por edhe atë juridike, por që gjithsesi nuk gëzonte afirmim të plotë në botën e futbollit.
Për postin e drejtorit sportiv tek United, Sir Jim Ratcliffe ka disa opsione dhe i pari është Paul Mitchell. Mitchell është padyshim emri më i përfolur sa i takon një emërimi tek Djajtë e Kuq. 42-vjecari në muajin mars mbylli bashkëpunimin me Monacon por është shumë i njohur për përvojat e suksesshme me Leipzig, Tottenham Hotspurs dhe Southampton.
Lexo edhe:
- VIDEO/ Rishkruhet historia, Shqipëria në Europian!
- Ramadani, me heroin në fanellë: Arritje e madhe, kurrë nuk jam ndier kështu
- “Gjimshiti shembull”, Sylvinho: E kam për nder që jam trajner i Shqipërisë, ka pasion në punë tonë!
- Foto/ Armando Broja i bashkohet festës kuqezi: Jemi në Europian!
Një tjetër i lakuar shumë këto ditë është edhe Paolo Maldini. Ikona e futbollit italian është emri më i famshëm në listë dhe pas një pune fantastike me Milanin konsiderohet si favorit për të marrë postin e drejtorit sportiv me United. Maldini kontribuoi tek kuqezinjtë e Milanit në rikthimin në titullin kampion pas 10 vitesh.
Dougie Freedman është një tjetër emër i futbollit anglez që po lidhet shumë me Mancester United. Freedman njihet për periudhën e tij tek Crystal Palace dhe më së shumti për lidhjen e afërt që ka me Sir Alex Ferguson dhe po merret seriozisht në konsideratë nga Sir Jim Ratcliffe.
Ratcliffe pritet të finalizojë në ditët në vijim procesin e blerjes së 25% të klubit. Miliarderi britanik pritet të bëjë revolucion edhe në hierarkitë e tjera administrative, si dhe rinovimin e Old Trafford dhe qendrës stërvitore Carrington.
