Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Liverpool-Man. United përballë pas një viti, tani me “djajtë e kuq” në krye

364 ditë pas duelit të fundit, Liverpool-i dhe Manchester United i rikthehen rivalitetit të tyre të egër, për sfidën më të rëndësishme të Javës së 19 në Premier League. Që nga takimi i fundit i dy klubeve më të suksesshme në historinë e kampionatit anglez, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe përveç titullit logjik dhe të shumëpritur të ekipit nga Merseyside, në mes janë edhe plot 10 muaj të vështirë të pushtuar nga pandemia e koronavirusit dhe mungesa e kuptueshme e tifozëve nëpër shkallët e stadiumeve.

Më 19 janarin e vitit të kaluar në “Anfield Road” mbrojtësi holandez Virgil Van Dijk zhbllokoi rezultatin me një gjuajtje me kokë, ndërsa në sekondat e fundit Mohamed Salah përfundoi një kundërsulm të shpejtë të nisur nga portieri brazilian Alisson. Në ato momente “the reds” fluturuan në +16 përpara ndjekësve më të afërt të Manchester City-t, që iu kishin rrëmbyer titullin një edicion më herët për thjesht një pikë të vetme, ndërkohë diferenca e Liverpulit me United preku shifrën e 30 pikëve.

25 muaj më parë drejtuesit e “djajve të kuq” shkarkuan një trajner si Jose Mourinho për vetëm 16 pikë diferencë, ndërsa me ish-sulmuesin legjendar krerët e klubit u treguan përsëri shumë të duruar. Historia dihet, vetëm 10 ditë pas disfatës në derbin e famshëm të veriperëndimit në gjirin e skuadrës u afrua mesfushori portugez, kapiteni i Sportingut të Lisbonës Bruno Fernandes dhe gjërat te United ndryshuan si me magji. “Red devils” u favorizuan ndjeshëm nga ndërprerja disa mujore e kampionatit për të rikuperuar gjithë atë diferencë që kishin me Leicester City-n, për të mbyllur sezonin brenda Zonës Champions, ndërsa “të kuqtë” në krahun tjetër kthyen titullin kampion në Merseyside, pas plot tre dekadave.

Edhe sezoni aktual nisi keq për United, që mezi bëri bashkë 7 pikë në 6 ndeshjet e para, megjithatë në gjirin e skuadrës Ole Gunnar Solskjaer ka individë të shkëlqyer dhe karakteri i ekipit doli në pah pikërisht në periudhën në vazhdim, më saktë që pas humbjes minimale me Arsenalin, brenda në “Old Trafford”. Me një ecuri të tillë të tmerrshme çdo trajner tjetër do të kishte marrë valixhet në duar dhe do të ishte larguar prej kohësh nga qendra stërvitore e klubit në Carrington, gjithsesi në mënyrë të pabesueshme 47-vjeçari nordik mbijetoi përsëri, ndonëse kjo është një histori e gjatë e stërpërsëritur, ku “red devils” kanë reaguar shkëlqyeshëm pavarësisht humbjeve të rënda me klube si Tottenham Hotspur, Arsenal, Basaksehir, Paris SG apo dhe Leipzig, me ekipin e drejtuar nga trajneri i ri Julian Nagelsmann që në Saksoni i flaku “djajtë e kuq” pa mëshirë jashtë Champions League-s, që në fazën e grupeve.

Trajneri nga Kristiansundi i mbijetoi edhe kësaj shtrëngate dhe ia doli mbanë për të mbledhur bashkë 11 ndeshje pa humbje. Që pas disfatës me Arsenalin brenda në “Teatrin e Ëndrrave” United numëron plot 9 fitore dhe vetëm 2 barazime në kampionat, megjithëse për hir të së vërtetës 6 prej këtyre sukseseve në Premiership janë me rezultat minimal dhe doza të theksuara fati, pasi shumicën e ndeshjeve skuadra e Solskjaer-it e ka zgjidhur me gola në çastet e fundit, autogola apo qoftë edhe 11-metërsha, ku rasti më flagrant është penalltia qesharake e fituar nga Paul Pogba në takimin me Aston Villa-n, ku edhe pasi ndoqën të përsëritura pamjet gjyqtarët sërish nuk dalluan gjestin e mesfushorit francez, që vodhi atë mundësi të artë duke u ngatërruar me këmbët e veta, brenda zonës së “luanëve nga Birminghami”.

Falë kësaj ecurie United u katapultua drejt e në krye, madje me 3 pikë diferencë me kampionët në fuqi. Kjo është java përmbyllëse e fazës së parë, megjithatë përsëri gjithça do të mbetet jo e plotë në tabelën e renditjes, për arsye të ndeshjeve të shumta që janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. “Djajtë e kuq” kishin që nga viti 2013, apo sezoni i titullit të fundit të fituar nga United me skocezin Alex Ferguson në timon, që nuk kryesonin klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit anglez pas 17 ndeshjeve të para.

Ngritja e “red devils” në renditje përkon me rënien e shpejtë të Liverpulit. Ekipi i drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp ka fituar vetëm 1 nga 4 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, madje edhe atë nëntë ditë më parë, në FA Cup ndaj të rinjve të Aston Vilës. Liverpuli nuk njeh fitore në tre sfidat e fundit në Premiership dhe suksesin e fundit ekipi i Kloppit e ka regjistruar në Londër, një muaj më parë ndaj Crystal Palace-t, ku të kuqtë goditën tetë herë drejt portës, duke shënuar shtatë gola gjithsej.

Në sfidën me Southampton-in në jug të ishullit gjuajtjen e parë në kuadrat kampionët në fuqi e gjetën vetëm në 75’. Kishte plot 5 vjet që nuk i ndodhte një gjë e tillë formacionit të drejtuar nga strategu gjerman. Të kuqtë nuk kanë humbur asnjëherë dy sfida radhazi në kampionat me Klopin në drejtim, sidoqoftë ekipi nga Merseyside ka grumbulluar vetëm 2 pikë gjithsej nga tre përballjet me kundërshtarë si West Bromwich Albion, Newcastle apo Southampton, e në këto tre takime skuadra ka gjetur portën vetëm 7 herë në total, duke shënuar thjesht një gol të vetëm.

“The reds” kishin gjetur rrjetën rregullisht në çdonjërën nga 15 sfidat e para, por Liverpuli befas numëron 2 ndeshje pa shënuar, e sa për statistikë ekipi nga Merseyside ka plot 16 vjet që nuk regjistron 3 ndeshje pa shënuar. Trajneri shvab pret që ekipi të reagojë, megjithatë futbolli vertikal ka humbur efikasitetin e mëparshëm, ndoshta edhe për shkak të pasigurisë së madhe në fazën mbrojtëse, ku janë dëmtuar lojtarë si Virgil Van Dijk dhe Joe Gomez, ndërsa futbollistët e krahut nuk shtyjnë më njësoj përpara, por gjithsesi skuadra po vuan ndjeshëm në fazën sulmuese sidomos pas dëmtimit të portugezit Diogo Jota.

Skocezi Andy Robertson ka 5 asiste, ndërsa Trent Alexander Arnold vetëm 2, në një kohë edhe një futbollist tepër egoist si Mohamed Salah krenohet me 3 të tillë. Për të bërë një krahasim, sezonin e titullit mbrojtësi i përfaqësueses angleze e mbylli me 13 asist, ndërsa Robertson me vetëm një më pak se Alexander – Arnold. 53-vjeçari nga Stutgarti ngushëllohet me faktin që ky duel do të mbahet në shtëpi, ku Liverpuli numëron 67 ndeshje pa humbje në kampionat, 55 fitore dhe 12 barazime. Pra që nga humbja me Crystal Palace-n e drejtuar nga Sam Allardyce në prillin e vitit 2017 të kuqtë kanë marrë në shtëpi 88% të pikëve, pa harruar gjithashtu faktin që Liverpuli ka fituar 32 nga 34 sfidat e fundit të Premier League-s në Anfield.

Kjo është ndeshja e 200 për trajnerin Jurgen Klopp në timonin e klubit nga Merseyside. Klopp krenohet me 127 fitore në 199 takime dhe më mirë se ai ka bërë vetëm një emër, Jose Mourinho, gjithsesi tekniku gjerman ka përqindjen më të lartë në historinë e trajnerëve të klubit të Liverpulit. Pavarësisht rivalitetit të ashpër dhe 39 titujve kampionë të fituar ndërmjet tyre vetëm pesë herë këto dy klube e kanë mbyllur kampionatin në dy vendet e para, madje në Premiership kjo gjë ka ndodhur vetëm 12 vjet më parë, për më tepër sivjet skuadrat janë të ngjeshura në shkallët e sipërme ku 6 klube ndahen nga vetëm 6 pikë, ndërsa City i Guardiolës është afruar ndjeshëm dhe po gjen formën më të mirë.

United është klubi i vetëm që ndali Liverpulin në një barazim në ecurinë e papërsëritshme të kampionatit anglez, kur nga 10 marsi i vitit 2019 deri në 24 shkurtin e vitit 2020 “the reds” regjistruan 35 fitore dhe vetëm 1 barazim, duke rreshtuar ecuri me nga 17 dhe 18 fitore rresht në Premier League, për t’u ndalur në Vicarage Road nga Watfordi në ditën e fundit të muajit shkurt, në atë humbje të rëndë me shifrat 3-0. Në krahun tjetër United mburret me 15 ndeshje radhazi pa humbje jashtë fushe, madje “djajtë e kuq” kanë fituar 11 nga 12 sfidat e fundit, për më tepër pjesën më të madhe duke përmbysur disavantazhin e pjesëve të para.

“Red devils” nuk ia kanë dalë për të shënuar në 4 nga 5 vizitat e tyre të fundit në “Anfield Road”, gjithsesi kurioz është fakti që në muajin janar këto dy skuadra kanë barazuar pa gola në këtë stadium vetëm një herë, në shekullin e fundit. Ndeshja do të luhet në orën 17:30 pikërisht në stadiumin “Anfiled Road” dhe do të drejtohet nga kryesori Paul Tierney, sidoqoftë të dielën tjetër këto dy klube do të përballen sërish në FA Cup, me ndryshimin se ai takim do të mbahet në “Old Trafford” ku Liverpooli ka plot 100 vjet që nuk i mposht “djajtë e kuq” në Kupën e Federatës.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...