Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Liverpool pret WBA-në, Tottenham përballet me Wolves në transfertë

Në Angli tradita vazhdon dhe klubet po përjetojnë pjesën më të ngjeshur të sezonit. Ndonëse startoi me vonëse kampionati ka mbërritur në Javën e 15 dhe takimi përmbyllës luhet në “West Midlands”, ku Wolverhampton Wanderers do të presë ekipin e Tottenham Hotspur.

Një duel i veçantë, i destinuar këto vitet e fundit për ekipet që luajnë jashtë fushe, pasi në 5 nga 6 sfidat e fundit ndërmjet tyre ia kanë dalë për të triumfuar pikërisht skuadrat udhëtuese.

Nëse te “gjelat” ka influencuar ndjeshëm kalendari i ngjeshur dhe tepër i vështirë, performanca e “ujqërve”, në anën tjetër, është ndikuar jashtëzakonisht shumë nga mungeasa e gjatë e sulmuesit kryesor të ekipit, Raul Jimenez, që në fundin e muajit të kaluar u dëmtua rëndë në pjesën e kokës, pas përplasjes në “Emirates” me qendërmbrojtësin e Arsenalit David Luiz.

Që nga ajo kohë skuadra e drejtuar nga trajneri Nuno Espirito Santo është mundur thellë 4-0 nga kampionët në fuqi dhe ka humbur sfidën e pagëzuar si “Black Country Derby” me Aston Vilën, prej një 11-metërshi naiv të shkaktuar në kohën shtesë nga Nelson Semedo.

Jehona e triumfit ndaj Chelsea-t, që u vulos në sekondat e fundit të takimit, zgjati vërtet fare pak, pasi “Wolves” zbritën shpejt me këmbë në tokë, pas disfatës së pësuar në fillim të javës në “Turf Moor” nga një kundërshtar si Burnley. Në krahun tjetër skuadra e Jose Mourinho-s mbajti për katër javë kreun e renditjes, por gjithçka ndryshoi 10 ditë më parë, pas duelit me Liverpoolin.

Një sfidë tepër e veçantë për vetë stilin e ndryshëm të lojës që aplikuan në atë takim trajnerët Jurgen Klopp e Jose Mourinho. Pas golit të realizuar në castet e fundit me kokë nga braziliani Roberto Firmino mediat britanike i thurën lavde pa masë trajnerit gjerman, duke goditur pa fund në krahun tjetër 57-vjeçarin portugez.

Pavarësisht dominimit në mbajtjen dhe kontrollin e topit kampionët në fuqi krijuan fare pak në fazën sulmuese, e goli i shënuar nga Mohamed Salah pati doza të mëdha fati dhe erdhi si pasojë e një devijimi përcaktues, ndërsa goli i Firminos u regjistrua pas një goditje standarte dhe krejt jashtë natyrës së lojës së Liverpulit.

Trajneri luzitan preferoi lojtarin e shpejtë holandez në krahun e majtë të sulmit, duke parashikuar në mënyrë perfekte hapësirat në mbrojtjen e të kuqve, por Steven Bergwijn shpërdoroi në mënyrë të pafalshme dy mundësi shumë të mira dhe pas ndeshjes Mourinho ndërhyri për ta marrë në mbrojtje publikisht, pas kërcënimeve me vdekje që mori 23-vje♪5ari nga Amsterdami në rrjetet sociale, nga tifozët e Tottenhamit.

Sikur të mos mjaftonin këto dy mundësi atë mbrëmje për fatin e keq të Mourinhos u shfaq versioni më i keq i sulmuesit Harry Kane, i cili jo vetëm shpërdoroi disa raste të pastra shënimi, por gjithashtu zëvendëskapiteni i skuadrës nuk ishte në gjendje për të dërguar dot topin në rrjetë, nga vetëm pak metra larg vijës së portës.

Në takimin pasardhës “Spurs”-at pësuan humbjen e dytë të këtij sezoni në shtëpi, që pas disfatës në ndeshjen hapëse me Evertonin. Jose Mourinho nuk kishte humbur asnjë duel nga përballjet me ish-asistentin e tij Brendan Rodgers, megjithatë trajneri veriirlandez ia doli për të thyer mësuesin e tij brenda në Londër, falë një 11-metërshi të tmerrshëm të shkaktuar në mënyrë naive nga mbrojtësi Serge Aurier dhe një autogoli të belgut Toby Alderweireld.

Gjithsesi ekipi reagoi në mesjavë duke mposhtur brenda në “Stoke-on-Trent” klubin nga Championshipi të Stoke City-t, fitore që i mundësoi klubit londinez kalimin për në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, fazë ku goglat u treguan vërtet shumë të mira duke i dhuruar trajnerit të famshëm portugez një tjetër ekip nga Championshipi si Brentford, që del për herë të parë në kupa në katërshen më të mirë, dhe evituar një përplasje me dy klubet nga Manchesteri. Për atë sfidë ka kohë, pasi derbi londinez Tottenham – Brentford do të mbahet pikërisht në shtëpinë e “gjelave” në javën e parë të janarit, kështu që më parë skuadra duhet të përqëndrohet në kampionat.

Ndeshja në “West Midlands” pritet e vështirë, por gjithsesi spurs paraqiten si favoritë, duke patur parasysh faktin që gjelat kanë fituar në fushën e “ujqërve” tri përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy klubeve. Sezonin e kaluar dy klubet e mbyllën kampionatin në kuotë të njëjtë pikësh, megjithatë të drejtën për të luajtur në Kupat e Evropës e fitoi pikërisht Tottenhami, për hir të golaverazhit më të mirë.

Mourinho nuk do të ketë në dispozicion për gjithë këtë periudhë të ngjeshur mesfushorin argjentinas Giovani Lo Celso, ndërsa Nuno në krahun tjetër pritet t’i japë celësat e repartit të sulmit treshes Fabio Silva – Podence – Pedro Neto. Pas këtij takimi Tottenhami do të ketë tre ndeshje rresht në shtëpi, ndërsa Wolves do të udhëtojnë vetëm dy ditë më pas për të matur forcat në Old Trafford me Manchester United. Takimi Wolverhampton Wanderers – Tottenham Hotspur do të luhet në orën 20:15, në stadiumin “Molineux”, dhe do të drejtohet nga kryesori Paul Tierney.

Më herët, në orën 17:30 do të zbresë në fushë edhe Liverpooli, që do të presë në “Anfield Road” skuadrën e West Bromwich Albion. Me dy fitore radhazi, “the reds” kanë nisur shkëputjen në krye dhe një tjetër sukses sot ndaj WBA do ta çonin në 5 pikë distancën nga ndjekësit.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...