Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Londër, hidhet shorti për turneun e 8 më të mirëve të sezonit

Në Londër u hodh shorti për edicionin e vitit 2019, për sa i përket turneut përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit. Në pritje të konfirmimit të pjesëmarrjes së numrit 1 të botës Rafael Nadal, që ditën e shtunë u tërhoq nga gjysmëfinalja e Mastersit të Parisit me kanadezin Denis Shapovalov, për probleme abdominale, në kryeqytetin britanik u bë edhe ndarja e grupeve, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe rrugën që duhet të përshkojë pak a shumë çdo tenist për të triumfuar në ATP World Tour Finals.

Në Grupin e parë që është quajtur Andre Agassi, për nder të ish-tenistit të famshëm nga Shtetet e Bashkuara, që ia ka dalë mbanë për ta fituar turneun përmbyllës në vitin 1990, përveç tenistit të famshëm spanjoll bëjnë pjesë gjithashtu edhe numri 4 i botës Daniil Medvedev, numri 6 Stefanos Tsitsipas si dhe numri 7 i klasifikimit ATP Alexander Zverev. 33-vjeçari nga Manakori ka qenë dy herë finalist në ATP World Tour Finals në turneun londinez, në vitet 2010 e 2013, kur është mundur respektivisht nga kundërshtarë si Roger Federer dhe Novak Djokovic, sidoqoftë Rafës që ka vetëm 640 pikë avantazh kundrejt tenistit nga Serbia Novak Djokovic i mjafton prania në finale, për të garantuar përfundimin e vitit kalendarik si numri 1 i botës.

Deri tani nga tenistët në qarkullim zvicerani Roger Federer bashkë me Nolen janë të vetmit që e kanë mbyllur sezonin në fron nga pesë herë, ndërsa tenisti iberik e ka siguruar dicka të tillë katër herë në karrierë. Në rast se do të mungojë tenisti nga Majorka atëherë zëvendësues i parë do të jetë bashkëkombasi i tij Roberto Bautista – Agut, që pozicionohet i nënti, ndërkaq si alternativë e dytë mbetet Gael Monfils, që në Paris – Bercy u mposht pikërisht në pengesën e fundit nga Denis Shapovalov, sepse nëse thyente sportistin kanadez në fazën cerekfinale, javën e kaluar, atëherë në ishull nuk do të shkonte Matteo Berrettini por pikërisht tenisti francez.

Rafa që nuk e ka fituar asnjëherë në karrierë turneun e 8 tenistëve më të mirë të sezonit ka humbur vetëm një përballje gjithsej në bilancin e përgjithshëm me rivalët e tij në Grupin Andre Agassi. Kështu tenisti spanjoll që edhe sezonin e kaluar mungoi në këtë aktivitet pikërisht për probleme abdominale, i ka fituar që të pesta sfidat me gjermanin Alexander Zverev. Sascha është kampioni në fuqi i këtij turneu, pasi vitin e kaluar tenisti me origjinë ruse mundi Nolen në vetëm dy sete, ndërkaq Rafa kryeson 2-0 bilancin me tenistin moskovit Daniil Medvedev, ku spikat finalja e Slemit Amerikan në New York, e luajtur vetëm dy muaj më herët, takim që përfundoi vetëm pas pesë orëve lojë, ndërkaq të vetmen disfatë tenisti i famshëm spanjoll e ka me tenistin nga Greqia Stefanos Tsitsipas. 21-vjeçari nga Athina e ka mposhtur Rafën sivjet në gjysmëfinalen e Madridit, në fushë dheu, megjithatë ky është suksesi i vetëm për tenistin helen në bilancin mes tyre, pasi Nadali kryeson statistikat e përgjithshme 4-1.

Sic dihet në Londër, në O2 Arena luhet në sipërfaqe të shpejtë, gjithsesi Tsitsipas dhe austriaku Dominic Thiem janë të vetmit tenistë që gjatë vitit 2019 ia kanë dalë mbanë për të triumfuar ndaj treshes Nadal – Djokovic – Federer. Në njëfarë mënyre shorti i Rafës duke patur parasysh edhe problemet e tij të vazhdueshme fizike në mbylljen e sezonit konsiderohet si tepër i vështirë, pasi tenisti iberik do të duhet të frenojë në radhë të parë vrullin dhe entuziazmin e debutuesve Medvedev dhe Tsitsipas, ndërsa në krahun tjetër Sascha Zverev ka krijuar goxha eksperiencë në këtë kompeticion, pasi 22-vjeçari nga Hamburgu merr pjesë në Londër për të tretin vit rresht. Për të katërtin edicion radhazi në ATP World Tour Finals marrin pjesë tetë tenistë nga tetë vende të ndryshme të boës.

Kështu në grupin që mban emrin e tenistit të famshëm suedez Bjorn Borg, i cili e ka fituar këtë turne radhazi katër dekada më herët, më saktë në vitet 1979 e 1980, bëjnë pjesë përveç Noles gjithashtu edhe numri 3 i botës Roger Federer, numri 5 Dominic Thiem si dhe numri 8 i renditjes ATP Matteo Berrettini, që bën debutimin në këtë turne. Numri 2 i botës kryeson 26-22 bilancin e përgjithshëm me Federerin, ndërsa me 23-vjeçarin roman Berrettini, që u bë vetëm tenisti i katërt italian në histori që fiton të drejtën për të luajtur në turneun përmbyllës të 8 tenistëve më të mirë të sezonit Nole nuk është ndeshur asnjëherë.

Përsa i përket bilancit me 26-vjeçarin vjenez Dominic Thiem Djokovic kryeson vërtet 6-3, megjithatë pesë muaj më parë tenisti austriak e mundi Nolen në pesë sete në fazën gjysmëfinale në Roland Garros, gjithsesi Novak Djokovic dhe Roger Federer konsiderohen këtë vit si sportistët favoritë, duke patur parasysh karakteristikat e tyre në lojën indoor, si dhe faktin që tenisti helvet e ka fituar plot 6 herë këtë aktivitet, ndërsa 32-vjeçari nga Serbia 5 herë të tjera.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...