Kategoria Superiore

Luftëtari ‘autokritikë’ ndaj Kukësit, Klasikja pa fitues, Laçi nuk diskuton Lushnjën

Luftëtari bën autokritikë për humbjen me Partizanin dhe rikthehet menjëherë te fitorja, duke mposhtur pikërisht kampionët në fuqi, Kukësin. Verilindorët e nisën mjaft mirë takimin dhe kaluan të parët në avantazh, pas golit të të zakonshmit Guri, që shënoi në minutën e 22-të.

Gjithsesi, skuadra e Pacult tregoi edhe një herë brishtësinë në repartin e mbrojtjes, teksa pa të barazohej në fundin e pjesës së parë, pas golit të talentit gjirokastrit, Kristal Abazaj.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Hasan Lika gjeti një tjetër gol, pasi vlonjati Lejdi Liçaj shënoi në minutën e 63-të, duke i dhënë 3 pikët gjirokastritëve.

Në Lushnjë, vendasit rezistuan vetëm në pjesën e parë ndaj Laçit, ku golit të Uzunit iu kundërpërgjigj Brunild Pepa, duke barazuar shifrat momentalisht. Skuadra e Mezanit shënoi sërish edhe dy gola në pjesën e dytë, me anë të Uzunit dhe Harallamb Qaqit, ndërsa Alushi la Lushnjën me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq në minutën e 62-të.

Në klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Partizani, luajtur në ‘Loro Boriçi’, tifozët nuk arritën t’i gëzohen asnjë goli, pasi të dy skuadrat nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë.

Të dy skuadrat luajtën shumë fort dhe treguan kujdes në repartin e mbrojtjes, ndërsa rastet e krijuara ishin me pikatore. Vlen të përmendet një mundësi e mirë e Bardhit për të kuqtë, që u ndal nga portieri Sherri dhe një goditje dënimi e Sukajt në kufijtë e zonës, por topi u përplas në murin mbrojtës.

Pas këtyre takimeve, Laçi ka mbetur në vendin e 3-të të renditjes, por tashmë me 39 pikë, vetëm 3 më pak se Kukësi i vendit të dytë. Ngjitje të madhe bën edhe Luftëtari, që shkon në vendin e 4-t, me 37 pikë në renditje, duke lënë pas Partizanin me 36 dhe Flamurtarin, që do të përballet me Kamzën.

Nga ana tjetër, Vllaznia çon përkohësisht në 5 pikë diferencën me Teutë, me shpresën se durrsakët nuk do të arrijnë të marrin maksimumin në sfidën e orës 17:00, ndaj Skënderbeut.

To Top