Luftëtari ndërton brenda pak orëve gjithë repartin e mbrojtjes me tre goditje të bëra zyrtare në orët e fundit. Skuadra gjirokastrite ka afruar në gjirin e saj 3 lojtarë amerikano-jugorë dhe një shqiptar duke plotësuar grupin e drejtuar nga trajneri Daniel Fernandez. Argjentinasi Facundo Nasif është prezantuar në radhët e ekipit bluzi në Greqi ku po zhvillon fazën përgatitore. 29-vjeçari argjentinas luan si mbrojtës i djathtë dhe zbarkon në Kategorinë Superiore pas eksperiencës së shkurtër në radhët e ekuadorianëve të Mantas. Një përforcim i rëndësishëm është edhe sulmuesi Fabricio Damián. Uruguajani 31-vjeçar ka një karrierë të gjatë në vendin e tij të lindjes dhe gjatë sezonit të fundit ai ka qenë pjesë e skuadrës El Tanque Sisley ku ka shënuar 4 gola në 20 ndeshje të luajtura në kampionat. Dy përforcimet e tjera janë sërish në mbrojtje. Është 23-vjeçari uruguajan Bruno Toledo që ka nënshkruar gjithashtu me gjirokastritët. Ai është rritur në radhët e LIverpool Montevideo ku është aktivizuar gjatë 4 sezoneve të fundit në pozicione të ndryshme të repartit difensiv. Blerja e katërt është një shqiptar. Bëhet fjalë për mbrojtësin 24-vjeçar Valdo Zeqaj, i rritur në akademinë e skuadrës së Flamurtarit. Me këto katër goditje Luftëtari ka kompletuar organikën, por nuk përjashtohet edhe afrimi i ndonjë lojtari të ri në ditët e fundit të merkatos.
