Europa League

Luftëtari ëndrra europiane kalon në Letoni

12 korrik 2018. Data kur Luftëtari takohet me historinë. Gjirokastritët do të shënojnë këtë të enjte pjesëmarrjen e parë në arenën ndërkombëtare në 89 vite prej themelimit të klubit.90 minutat e para në Europa League luhen ndaj Ventspilsit të Letonisë. Një kundërshtar i mësuar me kupat e Europës, që ndër vite ka marrë pjesë rregullisht.Natyrisht që problemi më i madh lidhet me mungesën e Eduart Rrocës, i cili do të humbasë duelin dysh në turin e parë kualifikues. Problemet në muskujt e barkut janë rishfaqur, në një periudhë kur mesfushori kishte shansin të tregonte vlerat edhe në arenën ndërkombëtar.

Tjetër mungesë me peshë është edhe ajo e mbrojtësit Jakovljeviç, i cili po rikuperohet pas operacionit në gju. E megjithatë te Luftëtari janë optimistë. Me Dejvi Bregun të rikthyer në huazim dhe me Vasil Shkurtajn në sulm, skuadra e trajnerit Kostiç shpreson dhe beson se nuk do të dalë pa rezultat pozitiv nga kjo trasfertë.Rivalët e Ventspils kanë edhe avantazhin se e kanë nisur sezonin prej muajit mars, ku kanë luajtur 13 javë në ligën elitare të Letonisë. Megjithatë, forma e fundit e shfaqur nuk ka qenë më e mira, me ekipin që ka pësuar tre humbje radhazi në kampionat dhe vetëm pak ditë më parë u kthyen te fitorja në ndeshjet e Kupës.

Të enjten në orën 16:45 në stadiumin Ventspils, Luftëtari ka takimin me historinë. Një ndeshje ku gjirokastritët janë gati të shkëlqejnë për ta vazhduar sa më gjatë ëndrrën europiane.

To Top