Luftëtari rikthehet në Gjirokastër pas fazës përgatitore të zhvilluar në Greqi. Skuadra jugore që këtë vit do rë drejtohet nga trajneri uruguajan, Daniel Fernandez ka mbyllur përgatitjet në vendin fqinjë dhe do të vazhdojë punën në “Qytetin e Gurtë” për pjesën finale të përgatitjeve të verës. Burime zyrytare nga klubi gjirokastrit bëjnë me dije se trajneri uruguajan është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit në dy miqësoret e zhvilluara respektivisht ndaj Verias dhe Anagnesi ku regjistroi një humbje dhe një barazim.
Numri 1 i stolit punoi me elementët e rinj të afruar gjatë merkatosë së verës dhe 4 blerjet e fundit duket se e kanë plotësuar organikën. Gjithsesi, klubi është ende në lëvizje dhe nuk përjashton edhe një afrim të fundit. Gjatë 10 ditëve në qytezën turistike të Verias, Luftëtari punoi shumë në aspektin fizik pasi sezoni i gjatë në Kategorinë Superiore kërkon përgatitje të lartë, ndërsa në aspektin taktik, trajneri Fernandez synon të gjejë modulin e duhur. Objektivi i klubit është kualifikimi në zonën europiane dhe ruajtja e një pjese të madhe të grupit të sezonit të kaluar mund të jetë një bonus për synimet e klubit jugor.
