Europa League

Luftëtari për turp në Europë, humbet 5-0, një 19-vjeçar i shënon 4 gola

Luftëtari i Europës është për turp. Humbje turpëruese për gjirokastritët në debutimin e tyre në turin e parë kualifikues të Europa League. Në Letoni skuadra e sllovenit Milos Kostic u mposht me rezultatin e thellë 5-0 nga vendasit e Ventspils, për meritë të një 19-vjeçari nigerian i cili bëri çfarë i donte qejfi me mbrojtjen gjirokastrite duke shënuar 4 gola. Luftëtari e nisi si mos më keq sfidën dhe brenda 45 minutave të para portieri Bukovski u mposht 5-0, 4 herë nga Akinyemi dhe një herë nga nigeriani tjetër Aiyegun. 2 prej 5 golave erdhën nga pika e bardhë e penalltisë. Një rast përballë portierit i humbur nga Shkurtaj në pjesën e parë ishte shumë pak për bluzinjtë. Luftëtari u përpoq të reagonte disi në pjesën e dytë por nuk arriti të gjente as golin e nderit. Në një goditje të Vucajt nga një pozicion i prirët reagoi mirë portieri i Ventspils duke e dërguar topin në këndore. Pak minuta më vonë Shkurtaj gjeti golin e nderit por finalizimi i tij me kokë u anullua për një faull të sulmuesit të Luftëtarit. Shkurtaj tentoi sërish pak çaste më vonë me kokë por në këtë rast topi u ndal nga traversa. Një humbje e rëndë kjo për Luftëtarit që është pothuajse i eliminuar nga Europa League edhe pse në letër bluzinjtë ishin të përkëdhelur nga shorti, por fusha tregoi komplet tjetër gjë.

To Top