Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Luhet derbi i Londrës, Chelsea synon fitoren e 6-të rresht, West Ham gati t’i prishë punë!

Chelsea e ka filluar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar pesë nga pesë ndeshjet në dispozicion në Premier League, diçka që nuk ndodhte prej plot tetë vjetësh, që nga koha kur ekipi drejtohej nga Carlo Ancelotti, megjithatë nën drejtimin e një tjetër trajneri italian, sic është Maurizio Sarri, “blutë” tashmë synojnë për të siguruar për herë të tretë në historinë e klubit 6 fitore në 6 sfidat e para të Premiershipit. Statistika të tilla janë regjistruar në sezonet 2005-06 dhe 2009-10, sezone ku për hir të së vërtetës Chelsea e ka mbyllur kampionatin duke fituar trofeun, sidoqoftë kjo ecuri rrezikon shumë të ndërpritet, teksa “blutë” do të masin forcat në derbin londinez me një kundërshtar si West Ham United.

Liverpool-i dhe Chelsea janë të vetmet skuadra që vazhdojnë të kenë 100% të pikëve në këtë fillim sezoni, gjithsesi nëse klubi nga Merseyside e mbylli me sukses takimin me Southampton-in ekipin e Sarrit e pret një mision tepër i vështirë në lindje të kryeqytetit, pasi “çekanët” në këtë pjesë të Londrës kanë fituar 3 nga 4 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Ky është derbi i dytë për trajnerin italian, pasi në fillim të kampionatit Chelsea mposhti brenda në Stamford Bridge Arsenalin, me rezultatin 3-2, sidoqoftë duke lënë mënjanë përballjen me “topçinjtë” është fakt që në pjesën tjetër të ndeshjeve “blutë” kanë patur një kalendar elementar, kështu që dueli me ekipin e veteranit Manuel Pellegrini shërben si test për të kuptuar edhe forcën e tyre të vërtetë. Sarri e vlerësoi sfidën me PAOK-un në Selanik, në Europa League, duke rreshtuar që nga minuta e parë një formacion të fortë, gjithsesi Chelsea në fund doli nga Greqia vetëm me një fitore minimale, në një takim ku Alvaro Morata shpërdoroi shumë, ndërsa “hammer”-s në krahun tjetër kanë patur një javë të plotë për të përgatitur më së miri këtë derbi, që është tepër i rëndësishëm për tifozët, për vetë marrëdhëniet dhe historikun e përballjeve ndërmjet këtyre dy klubeve.

Vendasit kanë patur probleme të mëdha me dëmtimet dhe në fakt West Ham-i nuk do të ketë lojtarë si Wilshere, Lanzini, Carroll dhe Winston Reid, në një kohë kur dy sulmues si Arnautovic dhe Chicharito mbeten në dyshim, për shkak të problemeve fizike. Te Chelsea me shumë gjasa do të mungojë Pedro, ndërkaq në skuadër do të rikthehet dyshja Hazard – David Luiz. “Çekanët” i humbën katër ndeshjet e para, duke pësuar plot 10 gola, megjithatë West Ham-i parqitet me moral të lartë, pas suksesit 3-1 ndaj Evertonit, brenda në Goodison Park. Ndeshja do të luhet në Stratford, në orën 14:30 dhe natyrisht që të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për ta ndjekur live dhe ekskluzivisht në Supersport, gjithsesi nëse Chelsea ia del mbanë për të fituar edhe këtë takim atëherë Sarri do të bëhet trajneri i tretë që fiton gjashtë ndeshjet e para në Premier League, që në sezonin e tij të debutimit, pas dy kolegëve të tjerë Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...