Featured

Luhet java e fundit e Premier League, Man. City e Liverpool në sprintin final drejt titullit

370 ndeshje nuk mjaftuan për të zgjidhur çështjen e titullit, kështu që gjithçka përsa i përket rivalitetit ndërmjet Manchester City-t dhe Liverpool-it në krye të kampionatit anglez do të mbyllet pas sfidave përmbyllëse të këtyre dy ekipeve. Edicioni i 30 i Premier League-s nuk zhgënjeu aspak parashikimet dhe përsëri City dhe Liverpool-i krijuan distancë vërtet shpejt, duke hequr çdo shpresë për skuadrat e tjera. Klubi i vetëm që rezistoi disi ishte Chelsea, sidoqoftë edhe blutë u tërhoqën nga rivaliteti për titullin që në fillimin e muajit dhjetor.

Për hir të së vërtetës në këtë edicion jubilar këto dy ekipe nuk u paraqitën me rendimentin stratosferik të tre sezoneve më parë, kur në fakt “sky blues” u kurorëzuan me 98 pikë, ndërsa “the reds” e përfunduan aventurën e tyre në kuotën e 97 pikëve, pra me thjeshtë një pikë më pak se sa “citizens”. Asokohe ekipi i Pep Guardiolës e mbylli kampionatin duke fituar 14 sfidat e fundit. Për më tepër në fazën e dytë të sezonit 2018-19 City triumfoi në 18 nga 19 ndeshjet e fundit, ndërsa ekipit të drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp nuk i mjaftuan 17 takimet e fundit pa humbje dhe 9 fitoret rresht me të cilat mbylli kampionatin.

Tani pak a shumë jemi në po të njëjtën situatë, por sërish mundësinë e artë për t’u kurorëzuar me titullin e radhës e ka përsëri skuadra e Manchester City-t. “Citizens” kryesojnë kampionatin në kuotën e 90 pikëve, ndërkohë “të kuqtë” ndjekin nga shumë pranë me vetëm një pikë më pak. Më 12 majin e vitit 2019 City mposhti brenda në “Amex” Brighton-in me rezultatin 4-1, ndërsa Liverpool-i mundi në Anfield “Wolves”-in me shifrat 2-0. Tre vjet më pas Guardiola dhe Klopp i shikojnë skuadrat e tyre në të njëjtat pozita, gjithsesi si për ironi të fatit ekipi nga Merseyside do të masë forcat përsëri me Wolverhampton-in në shtëpi, në një kohë kur kampionët në fuqi do të kenë favorin për të pritur në “Etihad” një klub si Aston Villa, që nuk rrezikon asgjë.

Liverpuli konsiderohet vërtet si klubi favorit për të triumfuar në Champions, një javë më pas në finale e madhe të Parisit, por në Premiership-in Anglez bookmakers-at e vlerësojnë ekipin e drejtuar nga gjermani Jurgen Klopp vetëm me koeficientin 6.6, në një kohë kur kampionët në fuqi e kanë kuotën 1,15 për të mbrojtur me sukses titullin e vitit të shkuar. Nëse kuptohen drejt deklaratat e bëra, 54-vjecari nga Shtutgarti pak a shumë e dorëzoi titullin që në fillimin e javës së kaluar, kur tha se është e pamundur që City i Guardiolës të gabojë në dy ndeshje rresht. Dhe për hir të së vërtetës trajneri shvab ka shumë të drejtë, sepse pas fundit të muajit tetor “sky blues” kanë humbur vetëm 1 nga 27 takimet e fundit, pra bëhet fjalë për duelin me Tottenham-in. Në krahun tjetër edhe Liverpool-i pas javës së parë të muajit nëntor është mundur vetëm 1 herë në 26 përballjet e fundit në kampionat, pikërisht në sfidën me Leicester City-n, në King Power Stadium, ku golashënuesi më i mirë i Premier League-s Mohamed Salah madje shpërdoroi edhe një 11-metërsh.

Ndaj West Ham-it ekipi i Guardiolës rikuperoi disavantazhin e dy golave, për të dalë nga Londra me të paktën një pikë, takim ku Riyad Mahrez humbi gjithashtu një penallti, sidoqoftë në Hampshire në St’Mary ndaj “shenjtorëve” të Southampton-it trajneri gjerman rreshtoi në fushë futbollistët rezervë, duke bërë plot 9 ndryshime në formacion. Shenjë e qartë pra që tekniku Jurgen Klopp nuk beson më te çështja e titullit dhe është duke menduar përpara kohe për finalen e Champions-it ndaj Realit të Madridit. Gjithsesi për Liverpulin konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme për të mbyllur tre herë në katër sezonet e fundit në dy vendet e para. Trajneri i “luanëve” nga Birminghami është Steven Gerrard dhe ish-kapiteni i famshëm i “të kuqve” i detyrohet një titull klubit nga Merseyside, pa harruar edhe brazilianin Philippe Coutinho, që humbi gjithashtu titullin atë sezon, kur ekipi drejtohej nga trajneri Brendan Rodgers.

Në këtë mënyrë Manchester City është shumë shumë pranë titullit të 6 në Premier League dhe trofeut të 8 në historinë e kampionatit anglez, gjithsesi në javën e fundit në Premier League do të zgjidhet edhe çështja e klubit të katërt që do të kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm. Pas gabimeve të rënda të “topcinjve” të Arsenalit tani Tottenham-it të Antonio Conte-s i mjafton vetëm një pikë për të garantuar vendin e katërt, ndërsa skuadra e Artetës në krahun tjetër duhet të mundë Evertonin në Emirates dhe të shpresojë në një fitore të Norëich City-t në Norfolk ndaj “spurs”. Gjë e paimagjinueshme, duke pasur parasysh faktin që “kanarinat” janë rrëzuar prej shumë kohësh në Championship. Në fund mbetet për t’u konfirmuar edhe klubi i tretë që do të zbresë një kategori më poshtë.

Ekipi i Lidsit rrezikon ndjeshëm për shkak të golaverazhit të tmerrshëm. Klubi nga Yorkshire është në kuotë të barabartë pikësh me Burnley-n, por është e qartë që ekipit nga Lancashire i mjafton të përsërisë rezultatin e Lidsit në javën përmbyllëse, për të qëndruar sërish në elitën e futbollit anglez, sidoqoftëtë gjitha ndeshjet do të luhen njëkohësisht në orën 17:00 dhe enigmat e fundit përsa i përket vendit të 18 në kampionatin anglez do të zgjidhen nga sfidat Brentford – Leeds e Burnley – Neëcastle.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency