Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

Luka Doncic rinovon deri në vitin 2027 për plot 207,1 milionë dollarë

Përgatiti: Alked Gjebrea

Drejtuesit e Dallas Mavericks rinovuan kontratën me “yllin” e tyre, Luka Doncic, që firmosi për të vijuar karrierën e tij me franchise-n teksan deri në mesin e vitit 2027. Pronari i famshëm i Mavs, Mark Cuban, vazhdon në këtë mënyrë për t’u besuar lojtarëve evropianë, duke pasur parasysh sukseset që ka regjistruar në të kaluarën në NBA ekipi i Dallasit falë gjermanit Dirk Nowitzki.

Luka Doncic konsiderohet një ndër basketbollistët më të mirë të kampionatit më spektakolar në rruzull dhe që kur lojtari i mirënjohur slloven kaloi oqeanin në vitin 2018 komentatorët, specialistët dhe analistët e NBA rendën me shpejtësi për ta quajtur organizatorin nga Ljubljana si një përzierje apo kombinim mes dy legjendarëve, Magic Johnson dhe Larry Bird, për nga stili apo dhe mënyra e lojës.

Në sezonin 2019-20 Luka Doncic e ndihmoi ekipin e tij për t’u pozicionuar në vendin e dytë në regular season në Divizionin e Jugperëndimit dhe pozicionin e shtatë në Konferencën e Perëndimit, ku Mavericks u mundën që në raundin hapës të play off-it me rezultatin e përgjithshëm 4-2 nga Los Angeles Clippers, ndërsa në edicionin e fundit Dallasi e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë në Divizionin e Jugperëndimit dhe pozicionin e pestë në Perëndim, për t’u eliminuar përsëri që në turin e parë në post season nga Los Angeles Clippers, me shifrat 4-3.

Shifrat që i ofruan krerët e skuadrës ishin vërtet të çmenduara dhe 22-vjeçari slloven pranoi me kënaqësi për të vijuar karrierën e tij pikërisht në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara. Nga sa raporton rrjeti vendas ESPN, Doncic do të përfitojë shumën e 207,1 milionë dollarëve në total, për pesëvjeçarin nga 2022 deri në verën e vitit 2027. Rinovimi i kontratës për shifrën e 207,1 milionë dollarëve bazohet te 30 % i shumës prej 119 milionë dollarësh, që shërben si kufi pagese, apo “salary cup”, duke filluar nga sezoni 2022-23, kriter i përdorur natyrisht duke u mbështetur te udhëzimet e përcaktuara qartë në rastet që merren në konsideratë si “rookie supermax extension”, pra pikërisht për shembujt kur bëhet fjalë për basketbollistët debutues të NBA, në pozitat e vecanta të përfitimit maksimal, në aspektin financiar, pas zgjatjes së kontratës fillestare.

Kështu shembulli i organizatorit slloven është i pari pas plot një dekade në kampionatin më të bukur në planet, që nga viti 2011, kur u implementua rregulli me të njëjtin emër, për shkak të rastit të basketbollistit të mirënjohur të Chicago-s për kohën Derrick Rose. Të ngarkuarit e posaçëm të rrjetit ESPN zbuluan se të dërguarit e franchise-t teksan udhëtuan drejt Sllovenisë, ku Luka është duke pushuar, pas mbylljes së aventurës me ekipin përfaqësues, në Lindjen e Largët, në Lojërat Olimpike, ku Doncic ndihmoi kombëtaren e vendit të tij për të shkuar deri në fazën gjysmëfinale.

Në Olimpiadën e Tokios Sllovenia u eliminua në gjysmëfinale pas një bllokimi të çmendur të Nicolas Batum shumë pranë sirenës, duke u mundur nga Franca për thjesht një pikë të vetme, me rezultatin 90-89, ndërsa në finalen e vogël, pra sfidën për vendin e tretë dhe të katërt përfaqësuesja që u kurorëzua si Kampione e Evropës në vitin 2017 u mposht 107-93 edhe nga Australia, duke humbur kështu edhe mundësinë për të merituar medaljen e bronztë.

Drejtuesit e Mavericks i paraqitën në mënyrë formale në fillim të javës “yllit” të skuadrës kontratën e re, shumë më të favorshme dhe me përfitime financiare faraonike për 22-vjeçarin, që konsiderohet që tani si një ndër lojtarët më të talentuar të moshës së tij në gjithë historinë e NBA.

Luka është vetëm i dyti lojtar në histori që është pozicionuar radhazi në pesëshen e parë të sezonit për dy vjet rresht, përpara moshës 23-vjeçare. Arritje që Doncic i ka regjistruar në sezonin e tij të dytë dhe të tretë, pa harruar gjithashtu edhe faktin që ylli slloven fitoi çmimin “rookie of the year” në sezonin 2018-19, pra debutuesi më i mirë i vitit.

Basketbollisti tjetër me një arritje të tillë është Kevin Durant, që ia ka dalë për të siguruar diçka të ngjashme në sezonin e tij të tretë dhe të katërt në National Basketball Association. Investimi i Mavs mund të thuhet me plot gojën se ia vlen plotësisht, sepse Doncic nuk ka rënë kurrë poshtë mesatares 21,1 pikë për çdo takim në sezon. Ndërkohë shifrat e tij në karrierë janë mesatarisht 25,7 pikë, 8,4 topa të rikuperuar dhe 7,7 asist për ndeshje. Në këto shifra përfshihen pa dyshim edhe statistika të tilla realizimi si 45,7% të gjuajtjeve nga loja dhe 33,1% nga jashtë harkut.

Nëse i referohemi sfidave nën presion në post season, pra ndeshjeve të play off-it, madhështia e basketbollistit të talentuar slloven del akoma më shumë në pah: 33,5 pikë, 8,8 rebound dhe 9,5 asiste për ndeshje, me përqindje realizimi 49,4% nga loja dhe 39,2% në tentativat e tij për tre. Në këtë mënyrë paga vjetore e lojtarit të famshëm të Dallasit do të jetë: 35,7 milionë dollarë për sezonin 2022-23, 38,6 milionë në edicionin pasardhës dhe 41,4 milionë dollarë të tjera në sezonin 2024-25, ndërsa më pas Doncic do të ketë një rrogë prej 44,3 milionë në edicionin e 2025-26 dhe plot 47,1 milionë dollarë në sezonin e fundit 2026-27.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...