Në fushë, gjërat nuk shkojnë më si dikur. “Mbreti” po humbet kurorën dhe është bërë objekt kritikash të forta edhe nga ish-shokët e tij te Manchester United, edhe pse karriera e tij është e jashtëzakonshme dhe e pasuruar me trofe dhe Topa të Artë.
Nëse e ardhmja futbollistike e Cristiano Ronaldos është vënë në dyshim, duke marrë rrugën e perëndimit të diellit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për jetën që ai planifikon pasi të varë këpucët në gozhdë.
Ronaldo konfirmohet edhe si kampion në biznes, veçanërisht në pasuri të paluajtshme. Mes shumë pronave të CR7 është edhe një vilë, madje më e shtrenjta në të gjithë Portugalinë, e vendosur në zonën Quinta Marinha, në rajonin Cascais, jo shumë larg Lisbonës.
Punimet në këtë vilë luksoze janë në zhvillim e sipër dhe pritet të përfundojnë së shpejti. Shtëpia e “Mbretit” tashmë kap vlerën 21 milionë euro. Brenda do të ketë aksesorë që shumica e njerëzve mund t’i imagjinojnë vetëm në ëndrrat e tyre.
