Vjen goditja e tretë për Milanin në merkaton e janarit. Pas sulmuesit (Mandzukic) dhe mesfushorit (Meitè), Maldini mbyll me sukses bisedimet edhe për mbrojtësin Tomori. Marrëveshja është arritur praktikisht me Chelsea-n për transferimin në formë huazimi me të drejtën e shlyerjes për 25 milionë euro. Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u përcaktuar para se 23-vjeçari të jetë i lirë të fluturojë për në Itali, për t’u bashkuar me kuqezinjtë. Mbërritja e tij në Milano pritet të ndodhë të martën ose maksimumi të mërkurën.
Sidoqoftë, java e ardhshme do të jetë gjithashtu shumë e rëndësishme në frontin e rinovimeve. Stipic, menaxher i turkut Calhanoglu, pritet të mbërrijë në Milano për takimin e fundit me klubin. Palët janë afruar shumë ditët e fundit në qëndrime dhe distanca midis ofertës dhe kërkesës tashmë mbetet e vogël. Mes ofertës 4.5 milionë, plus bonuse, dhe 5 milionë në sezon që kërkon lojtari nuk duhet të ketë probleme për gjetjen e gjuhës së përbashkët.
Situata në lidhje me Gigio Donnarumma është e ndryshme, edhe pse ka pasur bisedime të frytshme me Mino Raiolan ditët e fundit. Edhe portieri duket se po shkon drejt zgjatjes së kontratës. Ditët e ardhshme mund të jenë vendimtare në hedhjen e firmës mbi kontratë.
