Manchester City i Guardiola-s vazhdon serinë e fitoreve në Preimer League dhe këtë herë me goleadë. “Viktima” e radhës ishte Crystal Palace që pësoi 5 gola, ndërsa nuk mundi të shënonte asnjë.
Gjermani Sane shënoi një minutë para fundit të pjesës së parë golin që zhbllokoi rezultatin, ndërsa furia e City-t erdhi në pjesën e dytë. Sterling shënoi brenda 8 minutave dy herë, ndërsa i përhershmi Aguerro shënoi edhe golin e katërt. Në fundin e takimit shënoi edhe Delph, që e vulosi rezultatin 5-0.
Edhe kampionët e Chelsea-t u treguan tepër të fortë, ku në transfertën ndaj Stoke ka shpërthyer spanjolli Morata që realizoi një tripletë, në fitoren 0-4. Goli tjetër u shënua nga një tjetër spanjoll, Pedro Rodriguez.
Ndërkohë, Manchester United i ka mjaftuar Lukaku për të siguruar 3 pikë në transfertën ndaj Southampton. Belgu shënoi në minutën e 20 dhe më pas skuadra e drejtuar nga Mourinho arriti të menaxhonte rezultatin.
Pas 6 javëve të para, renditja udhëhiqet nga dy skuadrat e Manchester me pikë të barabarta me nga 16, me City-n që ka golavarazh më të mirë. Ndërkohë, në vendin e tretë, me tre pikë më pak, renditen kampionët e Chelsea-t.
