Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Man. United-Arsenal, ora 21:00, histori dhe prestigj në “Old Trafford”

Pasi dominuan Premier League-n në dy dekadat e para, influenca e dy klubeve si Manchester United dhe Arsenal në kampionatin anglez ka rënë ndjeshëm, deri në atë pikë sa “Djajtë e Kuq” dhe “Topçinjtë” jo vetëm që nuk figurojnë në listën e skuadrave kampione të pesë viteve të fundit, por gjithashtu 2 nga 3 klubet më të sukseshme të futbollit anglez nuk janë shfaqur më as si protagonistë të Premiershipit.
Si për ta konfirmuar këtë, në 21 vjet, që nga starti i Premier League-s e deri në vitin 2013, përjashtim bëjnë vetëm tre titujt e Chelsea-t dhe nga një kampionat i fituar nga Manchester City dhe Blackburn Rovers. E pra, kryendeshja e Javës së 15-të është pikërisht United – Arsenal, sidoqoftë këtë herë do të flitet thjesht dhe vetëm për rivalitetin historik që karakterizon këto dy ekipe, pasi çështja e titullit në këtë sezon kuptohet qartë që do të diskutohet ndërmjet City-t dhe Liverpoolit.

Për herë të pare, që nga 23 gushti i vitit 1986, në stol nuk do të jetë asnjëri nga dy trajnerët historikë, Alex Ferguson dhe Arsene Wenger, dhe këtë radhë përballë njëri-tjetrit do të qëndrojnë Jose Mourinho dhe Unai Emery, duel ku trajneri portugez nuk njeh asnjë humbje në pesë sfidat ndërmjet tyre.

Është e kuptueshme që gjërat nuk janë më si më parë, por natyrisht asgjë nuk është e përjetshme. Madje, nga viti i kaluar deri në sezonin aktual, gjithçka është përmbysur, pasi vetëm shtatë muaj më parë “Djajtë e Kuq” e mbyllën kampionatin në vendin e dytë, me plot 18 pikë më shumë sesa Arsenali, ndërsa tani janë “topçinjtë” që pozicionohen brenda zonës Champions, me tetë pikë më tepër sesa ekipi i drejtuar nga trajneri luzitan.

Pas humbjeve me City-n dhe Chelsea-n në mesin e muajit gusht klubi londinez numëron plot 19 ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, ndërkaq sezoni i klubit më të lavdishëm në futbollin anglez duket krejtësisht i dështuar dhe këtë e konfirmojnë qartë edhe dy sfidat e fundit, ku për hir të së vërtetës “Red Devils” nuk ishin në gjendje për të mposhtur as kundërshtarë si Crystal Palace dhe Southampton, që pozicionohen në vendet e fundit të klasifikimit.

Pas triumfit në Torino me Juventusin, gjërat kanë precipituar në kampin e “Djajve të Kuq”, në një kohë kur Jose Mourinho premtoi mbylljen e vitit 2018 në katërshen e parë të kampionatit. Në krahun tjetër, pas vuajtjeve në fillim të sezonit, trajneri bask duket se është përshtatur vërtet mirë me Premier League-n, për më tepër, në përballjen e fundit në derbin londinez me Tottenham-in, “Topcinjtë” përmbysën disavantazhin 2-1, madje me një performancë të atillë në pjesën e dytë që me shumë gjasa do të kishte mjaftuar për të mposhtur çdo kundërshtar në Ishull.

Arsenali nuk fiton në Manchester prej plot 12 vjetësh, kur sulmuesi nga Togo Emmanuel Adebayor realizoi golin e vetëm të takimit, thjesht katër minuta para fundit të ndeshjes. Sikur të mos mjaftonte forma shumë e ndryshme që po kalojnë, ekipi londinez këtë radhë ka një rast të shkëlqyer për të dalë me 3 pikët nga Manchesteri, duke patur parasysh problemet e tmerrshme që ka në prapavijë 55-vjeçari nga Setubali. Të vetmit që priten të rekuperojnë në kohë nga mbrojtësit janë Smalling dhe Baily, ndërsa anash të vetmet alternativa për Mourinhon janë Darmian dhe Dalot.

Tek Arsenali, Granit Xhaka ka plotësuar numrin 5 të kartonëve të verdhë, por do të mungojë gjithashtu edhe organizatori Mesut Ozil, gjithsesi miqtë shpresojnë shumë që forma e shkëlqyer e golashënuesit më të mirë të Premier League-s, Pierre-Emerick Aubameyang të, vazhdojë, duke patur parasysh që sulmuesi nga Gaboni u bë i pari futbollist në Premiership që nga viti 2007 që shënon 10 gola në 10 gjuajtjet e fundit në kuadrat, goxha kontrast krahasuar me 981′ që harxhoi Romelu Lukaku në krahun tjetër deri sa gjeti golin më në fund në takimin me Southampton-in.

Ndeshja do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Old Trafford” dhe do të drejtohet nga 47-vjeçari Andre Marriner, që ishte pikërisht edhe arbitri që gjykoi duelin e datës 2 dhjetor të vitit të kaluar në “Emirates”, takim të cilin United e fitoi me rezultatin 3-1 pavarësisht daljes me karton të kuq të mesfushorit Paul Pogba, por që gjithashtu u konsiderua edhe si një ndër ndeshjet më të bukura të gjithë sezonit 2017-18 në Premier League.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...