Rey Manaj nis një avanturë të re te Granada. Punë e kryer sipas ekspertit italian të merkatos Gianluca di Marzio që njoftoi në faqen e tij transferimin e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare në Segunda Divizion. Natyrisht që te Interi që disponon kartonin e lojtarit është e pamundur të mendohet që në këtë periudhë Manaj të gjejë hapësira dhe huazimi i tij ishte dicka e detyrueshme për klubin që gjithsesi beson te aftësitë e 20 vjecarit. Për këtë arsye edhe pse Granada ka opsionin e blerjes së kartonit pas huazimit, te Interi kanë ruajtur opsionin e të drejtës për ta riblerë më pas sërish futbollistin shqiptar.
Gjithsesi është e pamundur të parashikosh se cfarë do të ndodhë pas një viti, pasi për Manajn tanimë është e rëndësishme të shfrytëzojë këtë shans të ri në tokën spanjolle, aty ku Granada synon këtë vit ringjitjen në Primera, prej nga ku u rrëzua verën e kaluar duke e përfunduar kampionatin në vendin e 20. Te Granada Manaj pritet të ketë hapësirën e nevojshme për të fituar akomë më tepër eksperiencë dhe për të lënë pas aventurat jo dhe aq pozitive të përjetuara në sezonin e fundit ku u huazua për pjesën e parë të kampionatit te Pescara dhe më pas te Pisa në Serie B. Performanca e sulmuesit te Granada do të jetë vendimtare edhe për shanset e sulmuesit për të rifituar një ftesë në Kombëtare, aty ku Panucci e ka bërë të qartë që në fillim se nuk toleron probleme që kanë të bëjnë me disiplinën.
