Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Manchesteri me sytë nga derbi, United gati të ndalë vrullin e City-t

Rekordi historik i United me 21 ndeshje radhazi pa humbje larg stadiumit “Old Trafford” bëhet gati për të kaluar një provë jashtëzakonisht të vështirë në “Etihad”, pikërisht në derbin e qytetit të Manchester-it ndaj City-t të Guardiolës. Edicionin e kaluar “djajtë e kuq” e përfunduan kampionatin 15 pikë prapa “sky blues”, megjithatë këtë radhë ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer rrezikon ndjeshëm për ta gjetur veten plot 17 pikë larg citizens.

Në këtë pjesë të Manchester-it të gjithë ngrenë në qiell arritjet e trajnerit nordik, i cili mbushi 48 vjeç pikërisht ditën që në Nyon të Zvicrës shorti e vuri përballë Milanit në Europa League, sidoqoftë është fakt i pakundërshtueshëm që “red devils” mbeten vërtet shumë shumë larg City-t të Guardiolës. Trofeu i fundit i fituar nga United mbetet Europa League që siguroi Jose Mourinho katër vjet më parë, ndërkohë fansat e shumtë, analistët, ish-futbollistët e famshëm të klubit apo dhe vetë administratori Ed Woodward vazhdojnë të jenë optimistë dhe të flasin për progres e të bëjnë krahasime të kota me Manchester-in e kohës së skocezit të lavdishëm Alex Ferguson.

Derbi i ditës së diel rrezikon ta ulë mirë me këmbë në tokë skuadrën e trajnerit norvegjez, që gjithsesi është ende në lojë për të triumfuar në FA Cup apo Europa League. Në ishull “djajtë e kuq” gëzojnë një mbështetje të pazakontë dhe klubi mbrohet në mënyrë fanatike edhe nga mediat e shumta, madje edhe atëherë kur nuk e meriton aspak. United do të paraqitet në derbi pas tre barazimeve radhazi me shifrat 0-0. Fillimisht Real Sociedad në Europa League dhe më pas dy barazime me skuadrat londineze si Chelsea dhe Crystal Palace.

Parë nga një këndvështrim pozitiv “djajtë e kuq” nuk kanë pësuar gol në këto tre sfida, megjithatë në krahun tjetër faktet mbeten kokëfortë dhe tregojnë se nën drejtimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, United jo vetëm që nuk di të fitojë ndaj skuadrave të mëdha të kampionatit anglez, por gjithashtu nuk është në gjendje as për të shënuar ndaj klubeve të ashtuquajtur “big six”. E për hir të së vërtetës pas disfatës së turpshme 6-1 me Tottenham-in e Jose Mourinho-s brenda në “Teatrin e Ëndrrave” Manchester United ka regjistruar pesë rezultate 0-0 dhe një humbje 0-1 me Arsenalin brenda në “Old Trafford”.

Në një kohë kur trajneri i mirënjohur Pep Guardiola tregohet i përmbajtur në lidhje me mundësinë që ekipi i tij t’i fitojë që të katër trofetë, Solskajer nga ana e tij ka deklaruar se çështja e titullit është akoma e hapur. Një deklaratë që ngjan si krejtësisht e papërgjegjshme, duke patur parasysh që City do të zbresë në fushë pas 28 ndeshjeve radhazi pa humbje në të gjithë kompeticionet. Sky blues kanë fituar rresht 21 sfidat e fundit dhe janë shumë shumë pranë titullit të 5 në Premier League gjatë dekadës së fundit, por gjithashtu edhe vetëm 7 ndeshje larg rekordit botëror të fitoreve radhazi 28, që mbahet nga klubi uellsian The New Saints, ndërsa United në krahun tjetër ka fituar vetëm 3 nga 11 ndeshjet e fundit në të gjithë aktivitetet.

Përveç mesfushorit Paul Pogba, Solskjaer nuk do të ketë në dispozicion as portierin De Gea, ndërsa sulmuesi Anthony Martial mbetet në dyshim bashkë me holandezin Van de Beek. United ka dominuar ndër vite dhe “red devils” kryesojnë bilancin e përgjithshëm 76 me 55 me fitore, ndërkaq që nga viti 1891 kur është shënuar përballja e parë ndërmjet këtyre dy klubeve janë gjithashtu edhe 53 barazime në total. Djajtë e kuq përfaqësojnë sulmin e dytë më të mirë të kampionatit me 53 gola, natyrisht pas City-t, megjithatë 15 prej këtyre golave janë realizuar nga një mesfushor si Bruno Fernandes, që 7 prej tyre i ka shënuar pikërisht nga pika e bardhë e 11 metrave, gjithsesi edhe 26-vjeçari portugez tani ka filluar të shfaqë shenjat e para të lodhjes dhe mbingarkesës, duke luajtur në çdo ndeshje.

Manchester City krenohet me 15 fitore radhazi në Premier League, vetëm tre larg rekordit që mbahet nga ata vetë dhe kampionët në fuqi të Liverpulit, ndërsa United ka fituar 13 dhe barazuar vetëm 8 takime në 21 sfidat e fundit larg stadiumit “Old Trafford”. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me futbollistët që do të thërriten nga përfaqësueset respektive në ndeshjet eliminatore të botërorit të ardhshëm, por gjithsesi në këtë periudhë fillon të influencojë ndjeshëm gjendja fizike e lojtarëve, ngjeshja e sezonit si dhe kalendari, që duhet thënë se shfaqet shumë i vështirë në horizont për djajtë e kuq, kështuqë kjo ndeshje është shumë më e rëndësishme për United se sa City-n e Guardiolës, duke patur parasysh rivalitetin e fortë në shkallët e sipërme të kampionatit anglez për Zonën Champions.

United nuk njeh humbje në dy vizitat e fundit në stadiumin “Etihad” dhe ka humbur vetëm 1 nga 5 sfidat e fundit në derbi në fushën e “sky blues”, sidoqoftë City ka triumfuar në përballjen më të fundit ndërmjet tyre 2-0, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga John Stones dhe Fernandinho, ndeshje e luajtur në ditët e para të janarit brenda në “Old Trafford”, falë së cilës citizens garantuan kualifikimin për në finalen e madhe të Kupës së Ligës, në fundin e muajit prill kur skuadra e Guardiolës do të përballet në “Wembley” me Tottenham-in e Jose Mourinho-s. Derbi i 48 i Manchester-it në historinë e Premiership-it dhe i 152-ti në elitën e futbollit anglez të klubeve do të zhvillohet pra në stadiumin “Etihad” në orën 17:30 dhe do të arbitrohet nga 42-vjeçari nga i njëjti qytet, Anthony Taylor.

Ndërkohë më herët, kampionati anglez do të vijë me sfidën Liverpool-Fulham, që do të startojë në orën 13:00 dhe do të transmetohet në ekranin e Supersport 3. The reds vijnë pas humbjes ndaj Chelsea-t dhe një periudhe mjaft të errët rezultatesh, që u ka vënë në dyshim edhe arritjen e një vendi në zonën Champions, ndaj sot janë të dënuar të fitojnë ndaj londinezëve.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...