Trajneri i Teutës, Edi Martini u shfaq i kënaqur me paraqitjen e të tijve në ndeshjen ndaj Partizanit, ndërsa për emisionin “Gol pas Goli” pranoi se era e fortë në pjesën e dytë, ndikoi jo pak në qarkullimin e topit.
Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e skuadrës?
Bëmë gabim te goli i pësuar, pjesën e parë luajtëm mjaft mirë, e dominuam lojën. Në pjesën e dytë era ishte e fortë, nuk kishim mundësi të shkonim lartë shumë. Në fund, mund edhe ta kishim pësuar. Ishte një lojë e fortë, një lojë rivalësh.
Çfarë i mungoi Teutës në pjesën e dytë?
Era e fortë nuk të linte të qarkulloje topin. Bëmë shumë pasa gabim, nga mbrojtja në mesfushë. Ndikuan kushtet atmosferike, por duhet ta fitonim ndeshjen, duhet të ishim më të qetë.
Mos ndoshta duke luajtur më lart se duhet, i dhatë mundësi kundërshtarit t’u kapë shpesh në kundërsulm?
Kjo skuadër është skuadër që nuk mund të rrijë mbrapa. Kërkojmë të vëmë diktatin tonë në lojë dhe mos presim kundërshtarin. E tillë është krijuar fizionomia që vjet. Duhet të kemi pak më shumë presion. Është shumë e vështirë kur ekipet vijnë e mbrohen, që të presësh e të dalësh në kundërsulm.
