Duhet të ishte ndeshja e Neymarit dhe e Brazilit, një prej pretendenteve më të mëdha për titullin botëror. Por, në fakt, ishte mbrëmja e shqiptarëve që luajnë me Zvicrën. Behrami, Granit Xhaka, Shaqiri dhe Xhemaili ishin titullarë dhe mes protagonistëve absolutë të barazimit 1-1 që skuadra helvete regjistroi përballë “Seleçaos” në ndeshjen e parë të Grupit E.
Eksperiencë e pashoqe, perfekt taktikisht, por mbi të gjitha shumë vrapime dhe sakrificë. Ai që spikati më tepër ishte Valon Behrami. Lojtari i lindur në Mitrovicë kishte detyrën më të vështirë, atë të dueleve me Neymar. Me grintën dhe forcën e zakonshme që e karakterizon, 33-vjeçari e bëri të dukej puna më e lehtë në botë.
Edhe pse kishte pak punë me topin, Behrami u përfshi në duele të panumërta, duke fituar 100 për qind të topave përballë yllit brazilian të Paris Saint Germain. Madje, për të ironizuar faktin që e mbajti gjatë gjithë ndeshjes nën kontroll, nuk munguan as ngacmimet si kjo fotografi.
Edhe në ato pak raste kur nuk arrinte t’ia merrte topin Neymar, Behrami e ndalonte me faull. Në pjesëmarrjen rekord të katër edicioneve të Kupës së Botës, statistikë të cilën është i pari lojtar i Zvicrës që e realizon, djaloshi shqiptar ishte padyshim lideri i skuadrës së Petkovic.
Përpara se kronometri të tregonte një orë lojë, 33-vjeçari i Udineses ndjeu probleme në gju dhe u largua nga fusha në të 71-ën, me skuadrën që vuajti pas mungesës së tij. Tjetër protagonist nga shqiptarët ishte edhe Xherdan Shaqiri, që ekzekutoi goditjen e këndit nga e cila Zuber realizoi golin e barazimit për Zvicrën. Edhe pse nuk ishte në ditën më të mirë, 26-vjeçari nga Gjilani dha kontributin e tij.
Për t’u vlerësuar te Zvicra edhe paraqitjet e Granit Xhakës dhe Blerim Xhemailit, që edhe pse nuk shkëlqyen si zakonisht, ishin lojtarët që vrapuan dhe sakrifikuan më tepër përballë “yjeve” brazilianë. Në rastin e tyre vlerat teknike ia lanë vendin zgjuarsisë taktike dhe betejës në mesin e fushës, për të mbajtur sa më larg portës rivalët. Behrami, Shaqiri, Xhaka e Xhemaili, ishin ata heronjtë e Zvicrës që ëndërron të shkojë larg në Botërorin 2018.