Janë mbyllur tetë ndeshjet e para të raundit të tretë të fazës së grupeve të Europa League, ndërsa në orën 21:00 do të zhvillohen takimet e mbetura.
Sfida Crvena zvezda-Ferencvaros u mbyll me rezultatin 4-1, vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 27’ pas ekzekutimit të penalltisë nga Kanga, i cili e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Më pas ishte Mitrovic ai i cili do të realizonte për vendasit, duke dyfishuar rezultatin në minutën e 35’. Në pjesën e dytë Crvena zvezda gjeti sërish rrugën drejt rrjetës, me Katai që realizoi golin e tretë në minutën e 50’, teksa Kanga do të shënonte golin e dytë personal dhe të katërtin për vendasit në minutën e 60’. Ferencvarosi gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 71’ me Zachariassen.
Takimi HJK-Ludogorets përfundoi me rezultatin 1-1, Tissera zhbllokoi sfidën që në minutën e 10’. Nga ana tjetër HJK gjeti barazimin në minutën e 55’ me golin e lojtarit me origjinë shqiptare, Përparim Hetemaj.
Ndeshja Monaco-Trabzonspor u mbyll 3-1, në minutën e 11’ miqtë mbetën më 10 lojtarë në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq të Gomez. Ndërsa në minutën e 14’ Ben Yedder zhbllokoi rezultatin dhe i dha avantazhin Monaco-s. Në minutat shtesë të pjesë së parë, më specifikisht në minutën e 45+2’, Ben Yedder do të gjente sërish rrugën drejt rrjetës, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, në minutën e 55’ Monaco do të thellonte avantazhin pas golit të Disasi. Miqtë nga ana e tyre mundën që të gjenin rrugën drejt rrjetës vetëm në minutën e 72’ pasi Bakasetas mundi të realizojë.
Omonia-Manchester United përfundoi me rezultatin 2-3, ky takim u zhbllokua në minutën e 34’, me Ansarifard që realizoi golin e avantazhit për vendasit. “Djajtë e Kuq” gjetën barazimin në minutën e 53’ me Rashford, ndërsa në minutën e 63’ Martial përmbysi gjithçka. Protagonist absolut i këtij takimi Rashford realizoi golin e tretë për United në minutën e 84’. Megjithatë në minutën e 85’ Panagioutou ngushtoi diferencën duke realizuar golin e dytë për qipriotët.
Takimi Sheriff Tiraspol-Real Sociedad mbaroi me rezultatin 0-2, pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në fraksionin e dytë Silva zhbllokoi gjithçka dhe i dha avantazhin spanjollëve në minutën e 53’. Në minutën e 61’ vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushën e lojës, pasi Kyabou mori kartonin e dytë të verdhë. Ndërsa një minutë më pas Elustondo u dhuroi golin e dytë miqve.
Strum Graz-Lazio mbaroi me rezultatin 0-0.
Ndërsa Zurich-PSV përfundoi me 1-5, me miqtë që realizuan dy gola në harkun e 5 minutave, Vertessen zhbllokoi rezultatin në minutën e 10’, ndërsa në minutën e 15’ ishte po ai që gjeti rrugën drejt rrjetës dhe i dhuroi golin e dytë PSV-së. Teksa në minutën e 22’ Gakpo do të shkatërronte më shumë vendasit, duke realizuar golin e tretë për holandezët. Simons do të mbyllte episodin e golave për pjesën e parë për PSV-në, duke bërë “poker” në minutën e 35’. Në minutën e 55’ Gakpo realizoi golin e dytë personal dhe të pestin për ekipin e tij, ndërsa Zurich mundi ta godiste vetëm një herë rrjetën e holandezëve, me Okita në minutën e 87’.
