Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Mbyllet merkatoja në Angli, si ndryshojnë skuadrat pretendente

Premier League ka mbyllur merkaton sot në orën 18:00, me klubet angleze që kanë shpenzuar rreth 1.3 miliardë euro, ose rreth 0.3 miliardë euro më pak se vitin e kaluar, shenjë që klubet e mëdha nuk kanë preferuar të bëjnë “çmenduri”.

Një merkato që mund të cilësohet pa diskutim me një profil të ulët, pasi munguan transferimet e bujshme dhe asnjë lojtar që mund të “ndizte” fantazinë e fansave, nuk ia shtua Premier Leagues këtë verë.

Ajo që do të mbahet mend nga kjo merkato, është fakti që për herë të parë u shpenzuan kaq shumë para, për të përforcuar portën, kjo e ndikuar edhe nga ajo çfarë i ndodhi Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve, të cilën e humbi vetëm prej gabimeve të gjermanit Karius.

Pikërisht “the reds” vendosën rekord me transferimin e Alisson Becker, duke paguar plot 73 milionë euro për kartonin e tij, por vetëm pak ditë më vonë, Chelsea pagoi 80 milionë euro për të marrë të riun Kepa nga Athletic Bilbao dhe për të thyer rekordin e paguar ndonjëherë për ndonjë portier, me spanjollin që bëhet automatikisht më i shtrenjtë.

Jose Mourinho munde të ndihet i mërzitur, pasi drejtuesit e klubit nuk i sollën asnjë nga lojtarët e preferuar, por mund të ngushëllohet me faktin se kolegu i tij, Maurizio Pochettino nuk do të shikojë asnjë fytyrë të re në përbërje të skuadrës së tij, pasi Tottenhami vendosi të bënte spektatorin në këtë merkato.

Ja shpenzimet dhe transferimet e klubeve kryesore angleze:
Manchester City: Shpenzoi 70 milionë euro për transferimin e Rijad Mahrez nga Leicesteri dhe u mjaftua me kaq, duke hequr dorë edhe nga Jorginho.

Manchester United: Shpenzoi 82 milionë euro për të marrë mesfushorin Fred nga Shakhtar Donetsk dhe anësorin Dalot nga Porto, por natyrisht që Mourinho nuk është i kënaqur, pasi kishte kërkuar plot 5 përforcime.

Tottenham: “Spurs-at” e mbyllën sezonin e kaluar në vendin e tretë dhe këtë verë u mjaftuan me mbajtjen në ekip të trajnerit Pochettino dhe yjeve si Harry Kane, Dele Alli, Erikssen, etj. Një merkato tërësisht si spektator për Tottenhamin, që as nuk largoi dhe as nuk afroi asnjë futbollist.

Liverpool: Skuadra e Jurgen Klopp ka shpenzuar plot 182 milionë euro, duke afruar në skuadër lojtarë si portieri Alisson, mesfushorët Fabinho dhe Keita (u prenotua që verën e kaluar te Leipzigu), por edhe fantazistin nga Gjilani, Xherdan Shaqiri.

Chelsea: Blutë e Londrës e nisën gjithçka me vonesë, pasi fillimisht bënë rokadën e pankinës, me largimin e Contes dhe emërimin e italianit tjetër, Maurizio Sarri. Më pas Abramovich shpenzoi 57 milionë euro për të marrë Jorginhon nga Napoli, futbollist i preferuar nga Sarri dhe vetëm dje pagoi 80 milionë euro të tjera, për të sjellë në Londër portierin spanjoll Kepa, i cili do të zëvendësojë belgun Courtois, që iu bashkua Realit të Madridit. Pikërisht nga kampionët në fuqi të Europës erdhën 35 milionë euro dhe mesfushori kroat, Mateo Kovaçiç, që të paktën për një sezon do të punojë nën urdhrat e Maurizio Sarrit.

Arsenal: Te “topçinjtë” përfundoi epoka e Arsene Wenger, ndërsa në fund të majit pankina iu besua ish teknikut të PSG-së, spanjollit Unay Emery. Menjëherë në skuadër u afrua portieri gjerman Leno për 25 milionë euro dhe më pas organizatori uruguaian Torreira, që erdhi nga Sampdoria për 30 milionë euro. Pjesa tjetër u shpenzuan për afrimin e mbrojtësit Sokratis dhe mesfushorit të talentuar francez, Guendouzi. Vlen të përmendet se deri në minutat e fundit, drejtuesit e Arsenalit bënë përpjekje për të sjellë në Londër sulmuesin anësor të Barcelonës, Dembele.

Skuadrat e tjera: Shumë aktiv është treguar Leicester, që ka shpenzuar rreth 100 milionë euro, duke afruar emra si ish mbrojtësi i Interit, Ricardo Pereira dhe fantazisti i ardhur nga Norwich, Maddison.

Nuk ka mbetur pas as West Hami, që ka sjellë në Premier League fantazistin brazilian Felippe Anderson nga Lazio sulmuesin ukrainas, Yarmolenko, duke shpenzuar në total rreth 99 milionë euro, ndërsa mori pa para mesfushorin anglez Wilshere .

Në orët e fundit u zgjua edhe Evertoni, që mori dy futbollistë nga Barcelona, mbrojtësin kolumbian Jerry Mina për 32 milionë euro dhe mesfushorin Andre Gomez të huazuar për 2.5 milionë euro, pa harruar brazilianin Bernard, që erdhi si lojtar i lirë nga kampionati ukrainas.

Goditje të bujshme bën edhe Fulham, që rikthehet në Premier League duke shpenzuar 30 milionë euro për të marrë fantazistin Seri nga Nice, një futbollist që zgjoi interesin e shumë klubeve të mëdha europiane, por edhe portierin Sergoi Rico nga Sevilla.

Kujtojmë që Premier League do të vijë në Shqipëri e transmetuar live dhe ekskluzivisht nga platforma sportive e Digitalb, Supersport, me dy ndeshjet më të rëndësishme të çdo jave. Sipari do të ngrihet nesër në orën 21:00, me sfidën Manchester United-Leicester, që do të transmetohet në Supersport 2.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...