Lajme

“Me Air Albania edhe ne në sallonin e më të mirëve, Mourinho ishte ndryshe në Shkup”

Organizimi i finales së Conference League po shkon shumë mirë. Gjithçka është gati për duelin Roma-Feyenoord që do zhvillohet të mërkurën në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Jose Mourinho u shfaq i lumtur për faktin që ndodhet në Shqipëri dhe thuri elozhe për stadiumin, teksa gazetari Ylli Aga dhe ish-futbollisti Luan Pinari në “Digitalb Arena” u ndalën tek eventi historik që po organizon vendi ynë.

AGA – “Ne, nga ora në orë, i vëmë nga një kryq çdo dyshimi që kemi pasur në lidhje me organizimin e kësaj finaleje. Jemi dëshmitarë që çdo gjë po shkon në normalitet. Mbërritja e skuadrave, tifozëve, akomodimi, pjesa e trofeut në shesh, hoqëm çdo dyshim. Jemi afër momentit final, po e fitojmë këtë betejë.

Një nga gjërat më të kritikuara që kemi pasur ndër vite ka qenë organizimi i këtyre eventeve. Merrnim gjoba pafund, UEFA kritikonte pa fund. Jemi edhe ne që i neglizhojmë gjërat. Duhet t’i vlerësojmë pafund punonjësit e FSHF-së. Ata kanë përballuar me intensitet dhe profesionalizëm të gjithë detyrat dhe standardet e UEFA-s për organizimin e kësaj finaleje.

Kjo është një lloj pasqyre, delegatët që vijnë nga UEFA janë strikt. Stadiumi? Në ‘Qemal Stafa’ do të ishte e pamundur të bëhej kjo finale. Me ‘Air Albania’ jemi në sallonin e vendeve më të mira. Do doja të ndalesha te deklarata e Mourinhos. Njerëzit kanë dyshime, por një nga 2-3 trajnerët më të mirë të historisë, një konfirmim i jashtëzakonshëm i punë që është bërë.

Ta mbajmë stekën lart për këto lloj eventesh. Mourinho tha se UEFA mund të kritikohet se stadiumi duhet të kishte 60 mijë vende, por ata nuk mund të kritikohen që e sjellin futbollin në çdo vend. Ndihem mirë dhe i lumtur që do të luaj një finale shqiptare. Ai nuk thotë kurrë gjëra për të të bërë qejfin.

UEFA e ka strategji shpërndarjen e finaleve në vendeve të ndryshme, por gjërat parësore janë standardet e impianteve, siguria, aeroporti, hotelet. Më pas fillon diskutimi për dhënien e organizimit të kësaj finaleje. Urime atyre që kanë marrë përgjegjësi dhe kanë punuar për organizimin e këtij eventi.

Ky është rasti për të thënë: futbolli është industri, futbolli prodhon para pafund. Do krijohet një panoramë e mrekullueshme, mund të përfitojmë për të ndërtuar gjëra të mira dhe për të shndërruar futbollin në industri që prodhon para. Edhe shteti do të kishte fitimin e vet, nëpërmjet taksave që paguhen”.

PINARI – “Po, mund të sillemi si europianë, por ishte dyshimi për shkak të mungesës së eksperiencës. T’i asimilojmë edhe në kampionatin tonë këto që kemi mësuar nga UEFA. Është e rëndësishme që hera e parë të jetë pozitive.

Para shumë viteve, ekipet shqiptare preferonin eliminimin përpara përballjes me ekipe të mëdha, pasi nuk kishim mundësi të organizonim ato lloj ndeshjesh të rëndësishme.

Mourinho nuk kishte këtë sjellje në Shkup. Sot ishte diçka ndryshe, ai ishte i surprizuar për mirë. Është një tip karizmatik, ai nuk thotë gjëra pozitive lehtësisht. Ai e përjeton shumë, pasi ka egon e fituesit, do të jetë i pari trajner që do fitojë këtë kompeticion”.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency