Mario Goetze u rikthye në Bundesliga verën e kaluar pas aventurës në Eredivisie te PSV. 30-vjeçari gjerman firmosi deri në vitin 2025 me Eintracht Frankfurt, ekip me të cilin po bën mirë. Fantazisti po rikthehet gradualisht në formën e ditëve më të mirë, teksa numëron 2 gola dhe 3 asiste deri tani.
Eintrachti fitoi 2-1 ndaj Marseille, rezultat që mban skuadrën gjermane në lojë për t’u kualifikuar në Champions League. Goetze dhuroi asistin e golit të dytë dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërkohë që në tribunën e “Deutsche Bank Park” ishte i pranishëm edhe Hansi Flick.
Botërori po afron dhe trajneri i Gjermanisë ishte i pranishëm në Frankfurt për të ndjekur nga afër formën dhe performancën e lojtarit që i dhuroi “Pancerave” Kupën e Botës në vitin 2014 falë golit të paharrueshëm në finalen ndaj Argjentinës.
Goetze mungon në kombëtaren gjermane prej pesë vitesh. Mesfushori i avancuar foli pas triumfit ndaj ekipit francez, pranisë së Flick në stadium dhe mundësisë së marrjes së një ftese në Katar 2022, aty ku Gjermania është pjesë e grupit E bashkë me Spanjën, Japoninë dhe Kosta Rikën.
“Nuk e mbaj mendjen te Kupa e Botës, unë fokusohem vetëm te ndeshjet e Eintrachtit. Të shtunën na pret një tjetër përballje e rëndësishme (vs Dortmund). Pjesa tjetër nuk më intereson, kështu që nuk kam asgjë për të shtuar”, deklaroi Mario Goetze.
