“Më shumë gola dhe më pak kartonë”, 6 fakte për fazën e parë të Bundesligës

Bayern Mynih – Borussia Monchengladbach, e planifikuar për mbrëmjen e sotme, është ndeshja e parë e fazës së dytë të Bundesligës, që edhe këtë sezon duket se ka për protagonist kryesorë pikërisht bavarezët kampionë në fuqi, të cilët në gjysmën e parë kanë arritur të krijojnë një diferencë prej 9 pikësh me Borussian e Dortmundit që i ndjek.
Megjithatë në prag të fazës së dytë, është interesant fakti që për gjysmën e parë të sezonit, Bundesliga është kampionati me më shumë gjuajtje në portë dhe më shumë gola të shënuar, 4 top-ligat e tjera europiane, si Serie A, Premier League, La Liga dhe Ligue 1.
Gjithashtu, Bundesliga është njëkohësisht edhe kampionati më Fair Play, pasi në të 153 ndeshjet e luajtura në fazën e parë, kartoni I kuq është nxjerrë në vetëm 16 raste, ndërsa mesatarja e të verdhëve, është 3.6 për ndeshje.
Një tjetër fakt interesant për Bundesligën, është se në fazën e parë janë përdorur gjithsej 447 futbollistë, më shumë se në të gjithë vitet paraardhëse, ose thënë ndryshe çdo skuadër ka përdorur mesatarisht 25 futbollistë në ndeshjet e gjysmës së parë të sezonit.
Përveç aspekteve pozitive, faza e parë ka padyshim edhe aspektet e veta negative dhe një ndër to është numri i të rinjve lokalë, të përdorur nga klubet, që është më i ulëti në krahasim me 4 ligat e tjera kryesore europiane.
Gjithashtu, nga 98 klubet pjesëmarrëse në 5 ligat kryesore europiane, Greuther Furth është padyshim ekipi më i dobët i fazës së parë, pasi ka grumbulluar vetëm 5 pikë. Edhe paraqitja në Europë e gjermanëve ka lënë për të dëshiruar, pasi Wolfsburgu dhe Union Berlin janë eliminuar nga Europa League, ndërsa Borussia Dortmund dhe Leipzig kanë ardhur aty, pasi kanë zhgënjyer në Champions.
