Të gjithë e prisnin titullar në “San Siro”, por vendimin për të mos e hedhur në fushë Lorenzo Insignen, Ventura e kishte marrë që në përfundim të sfidës së parë në Suedi.
Ndeshjen në Solna, sulmuesi i Napolit e nisi nga stoli dhe u hodh në fushë pak minuta nga fundi i sfidës, duke zëvendësuar mesfushorin Verratti. Gjithsesi, duket se ndihmësit e Venturës nuk ishin aspak të qartë me udhëzimet e tyre dhe kur Insigne pa që do të zëvendësonte Verratin, u habit. Napolitanit nuk i kishte thënë askush se do t’i duhej të luante në qendër dhe jo në krah, ku ka rolin e tij natyral.
“Tani unë do të luaj në qendër”, mësohet të ketë thërritur i habitur Insigne, sapo ishte future në fushë, por duket se pikërisht ky veprim e bindi Venturën, që të mos e përfshijë sulmuesin e Napolit, në planet për sfidën e kthimit. Kjo u pa qartë edhe me faktin se Insigne nuk u ngrit për asnjë moment në nxehje, por u la në harresë, në pankinën e ‘ftohtë’ të ‘San Siros’.