Hysen Memolla është një prej emrave të rinj në listën e trajnerit Christian Panucci për sfidat me Lichtensteinin dhe Maqedoninë. 25 vjecari, ka patur një ngjitje të jashtëzakonshme në karrierën e tij vitet e fundit, teksa nga një ekip pa emër si Martina Franca e gjeti veten shumë shpejt te Koper e më pas te Hajduku i Splitit. Paraqitjet te klubi kroat, ku është një titullar i padiskutueshëm bënë që mbrojtësi i krahut të majtë të tërhiqte dhe vëmendjen e trajnerit të ri të kuqezinjver Panucci, teksa e gjeti veten në listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat e radhës në Botërorin 2018. Në një intervistë telefonike për Sport Neës, Memolla zbulon se mjaftoi vetem një takim me trajnerin, që ëndrra e tij të bëhej realitet.
I lindur në Kavajë, Memolla është formuar si lojtar në Itali, por origjina mbetet origjinë, dhe kavajasit duket se futbollin e kanë në gene, teksa pas Cikalleshit dhe Lilës, një tjetër futbollist nga ky qytet do të veshë ngjyrat kuqezi.
Në pozicionin e tij në kombëtare luajnë aktualisht dhe kapiteni Ansi Agolli e Naser Aliji, dy lojtarë me shumë përvojë, që Memolla i vlerëson së tepërmi por nuk stepet përpara sfidave duke u shprehur se do të bëjë maksimumin me përulësi që dhe ai të ketë shanset e tij në kombëtare.
Kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa League ndaj klubit më të madh kroat, Dinamos së Zagrebit është përcjellë me vëmendje dhe nga Memolla në Kroaci, që pranon se ka ndjekur nga afër paraqitjet e korcarëve duke shprehur kënaqësinë e tij për një ecuri të tillë të një klubi shqiptar në Europë.
