Hysen Memolla: “Nuk e prisja këtë ftese por jam shumë i lumtur që bëj pjesë në Kombëtare dhe shpresoj të jap 100 % me skuadrën”.
Kjo është fjalia hapëse e konferencës së parë për shtyp si ikuqezi për mbrojtësin 25-vjeçar Hysen Memolla, i cili po shijon momentet e krenarisë që të dhuron fanella e skuadrës përfaqësuese. Me një karrierë të madhe ndërkombëtare, Memolla do të shtojë më shumë cilësi në repartin e tërhequr të skuadrës kuqezi dhe me përulësi pranon çdo vendim që trajneri Christian Panucci do të marrë.
“Jam këtu për të punuar. Agolli ai është kapiten i ekipit dhe unë e respektoj, për të tjerat vendos trajneri. Ky është shansi im dhe tani shpresoj të tregoj veten”.
Në vijim, mbrojtësi i lindur në Kavajë e pranon se Gianni De Biassi nuk e ka kontaktuar asnjëherë dhe thirrja e Panuccit është si një rrufe në qiell të hapur për të. Ai nuk kursen gjithashtu një koment edhe për çështjen “Cikalleshi”.
“Nuk kisha raport me De biasin por jam shume i lumtur edhe pse nuk e di se cfare ka ndryshuar me Panuccin. Trajneri kërkon shumë disiplinë dhe ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar”.
Në këndvështrimin e mbrojtësit 25-vjeçar, asnjë kundërshtar nuk duhet të nënvlerësohet, madje as LIhtenshtejni. Ai e mbyll konferencën e shtypit duke theksuar se dy sfidat e para të muajit Shtator kanë të njëjtën shkallë vështirësie dhe duhen vlerësuar maksimalisht.
