Ish-lojtari i Leicester City-t, Jonny Evans, është shumë pranë rikthimit te Manchester United për 1 sezon. 35-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e trajnerit holandez, Erik Ten Hag, gjatë periudhës parasezonale.
Irlandezo-veriori është produkt i akademisë së “Djajve të Kuq”, me lojtarin që u largua nga “Old Trafford” verën e vitit 2015. Klubi anglez është optimist për një marrëveshje afatgjatë me futbollistin, duke parë paraqitjet e tij në këtë muaj.
Manchester City ka identifikuar lojtarin që do të zëvendësojë Riyad Mahrez, që u largua drejt Arabisë Saudite. Në krye të listës së dëshirave të kampionëve të Europës qëndron futbollisti i Rennes, Jeremy Doku.
Së bashku me lojtarin, qytetarët kanë interes edhe për Michal Olise të Crystal Palace, por këta të fundit kërkojnë 50 milionë euro. Avantazh për City-n në nënshkrimin e Doku është dëshira e vetë anësorit për të kaluar në Premier League.
Lexo edhe:
- Ekskluzive/ Nga Vllaznia në Rumani, kontratë 2-vjeçare për mbrojtësin
- Hadroj drejt Turqisë, zbulohen detajet e ofertës
- Dinamo me sulmues të ri, mbërrin në kryeqytet lojtari i Gjilanit
- Mes dy klubeve të Serisë A, mesfushori i kombëtares bën zgjedhjen përfundimtare
Barcelona do të bëjë përpjekjen e fundit për të sjellë në “Camp Nou” portugezin Joao Cancelo. Pavarësisht interesit që kanë edhe për Ivan Fresneda, drejtuesit e klubit katalanas kanë objektiv primar mbrojtësin e Man. City-t.
Shitja e Dembelesë, që do të sigurojë të ardhura të konsiderueshme për arkat e “blaugranave”, me gjasa do të përdoren për të afruar futbollistin portugez. Cancelo ka zhvilluar ndeshje shumë të mira në miqësoret e muajit korrik. Barcelona ka tentuar edhe javë më parë për 29-vjeçarin, por ka marrë refuzim të menjëhershëm nga anglezët.
Arsenali po konsideron një mundësi për të transferuar mesfushorin Djibril Sow nga gjermanët e Eintracht Frankfurtit. Pavarësisht 200 milionë paundëve të shpenzuar në këtë merkato, “Topçinjtë” mbeten aktivë ne merkato.
26-vjeçari kërkohet dhe nga Lazio, por klubi anglez ka më shumë dëshirë për futbollistin. Kontrata e Sow skadon vitin e ardhshëm, çka mund të sjellë shitjen e lojtarit. Vlera në merkato përllogaritet të shkojë në 22 milionë euro, shifër kjo e përballueshme për arkat e Arsenal.
