Connect with us

Hi, what are you looking for?

Merkato

Merkatoja e Milanit, 3 emra të rëndësishëm për në janar

Në kampionatin italian janë luajtur 12 javë dhe ekipi i Milanit, ndryshe nga ç’mendohej në fillim, është duke vuajtur, teksa pozicionohet për momentin në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes. Më datë 9 tetor, pa u mbushur as katër muaj nga dita e emërimit, drejtuesit e klubit të famshëm lombard shkarkuan Marco Giampaolon, duke i dhënë timonin trajnerit aktual, Stefano Pioli, e megjithatë gjërat vazhdojnë pak a shumë njësoj, ndoshta më keq, sepse me 54-vjeçarin emilian në drejtim skuadra ka grumbulluar vetëm 4 pikë në pesë ndeshje, duke rrëshqitur në vendin e 14-të, në kuotën e vetëm 13 pikëve, pra vetëm 4 pikë larg “zonës së ftohtë” të klasifikimit.

Drejtuesit po mundohen të mbledhin veten shpejt dhe të reagojnë, për t’i ndrequr gjërat që në muajin janar. Është përmendur shumë emri i ish-sulmuesit të ekipit Zlatan Ibrahimovic, megjithatë dyshja Boban – Maldini po bën çmos për të përforcuar skuadrën si në mbrojtje ashtu edhe në mesin e fushës. Në shënjestër janë vënë emra të tillë si Layvin Kurzawa, Nemanja Matic dhe Luka Modric, tre futbollistë që kanë një të përbashkët, pasi iu skadon kontrata me klubet respektivë pikërisht vitin e ardhshëm.

Situata për veteranin shtatlartë suedez është sa e qartë po aq edhe e komplikuar. Kontrata e Ibrës përfundon ditën e fundit të vitit 2019 dhe një detaj i tillë i mundëson binomit Boban – Maldini për të zgjidhur gjithçka duke biseduar vetëm me Mino Raiolan, pa qenë nevoja për të derdhur as edhe një qindarkë për kartonin e futbollistit, megjithatë konkurrenca e Bolongas si dhe fakti që Ibrahimovic ka vlerësuar së tepërmi udhëtimin e Marco Di Vaios deri në Los Angeles e bëjnë më të vështirë zgjidhjen në mënyrë të suksesshme të këtij operacioni financiar.

Në lidhje me futbollistët që iu përfundon kontrata gjatë vitit 2020, çmimi i të cilëve mund të ulet ndjeshëm në muajin janar po shihet për zgjidhje pikërisht në pozicionin e mbrojtjes si dhe atë të mesit të fushës. Nëse në dritaren më të afërt do të largohet nga Milanello Ricardo Rodriguez, që këto kohë është shndërruar në një zëvendësues të rregullt të 22-vjeçarit Theo Hernandez, atëherë objektivi kryesor i kuqezinjve në krahun e majtë do të bëhet Layvin Kurzawa, 27-vjecari me origjinë polake që luan në radhët e Paris SG, roli i të cilit në formacionin e trajnerit Thomas Tuchel është ridimensionuar ndjeshëm nga konkurrenca e spanjollit Juan Bernat.

I mbërritur në kryeqytetin francez në vitin 2015 për 25 milionë nga Monaco, në muajin janar 27-vjeçari mund të lëvizë nga Parisi për më pak se 10 milionë euro, me një vlerë pagese që rrotullohet diku te 4 milionët në vit. Manovra në horizont gjithashtu edhe për mesin e fushës, ku dyshimet për të ardhmen e Franck Kessie dhe rendimenti plot ulje-ngritje i lojtarëve Biglia e Bennacer e shtrëngojnë dyshen Boban – Maldini për një ndërhyrje urgjente në këtë repart.

Për të patur fizicitetin dhe dinamizmin e duhur po vlerësohet gjithmonë e më tepër profili i 31-vjeçarit nga Serbia Nemanja Matic, për të cilin nuk ka më fare hapësira në radhët e Manchester United, pas emërimit të trajnerit Ole Gunnar Solskjaer. Deri tani Matic, për të cilin është i interesuar edhe Antonio Conte, ka zhvilluar vetëm pesë ndeshje gjithsej, në kampionat dhe Europa League, e mund të transferohet edhe për një shifër prej 15 milionë euro, sidoqoftë paga e tij prej 7 milionësh në vit e komplikon ndjeshëm arritjen e një marrëveshjeje.

I njëjti diskutim mund të thuhet gjithashtu edhe për 34-vjecarin kroat Luka Modric. Pavarësisht pranisë së bashkëkombësit të tij, Zvonimir Boban, në klub dhe bashkëpunimit me Realin në transferimin e mbrojtësit francez Theo Hernandez, apo qoftë edhe marrëdhënieve shumë të mira me klubin madrilen, përsëri paga vjetore prej 11 milionë euro e vështirëson dukshëm një afar të tillë, për shkak të politikës së shpallur nga Ivan Gazidis.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...