Zvicra bëri gjithçka keq, pësoi shumë gola dhe u eliminua nga Kupa e Botës pas humbjes 6-1 ndaj Portugalisë. Kombëtarja luzitane do të sfidojë Marokun në çerekfinalet e Katar 2022, ndërkohë që Xherdan Shaqiri komplimentoi kundërshtarët për triumfin e thellë.
“Duhet të urojmë një skuadër të madhe si Portugalia. Në fazën me eliminim direkt, çdo gabim i vogël të ndëshkon”, deklaroi sulmuesi me origjinë shqiptare, i cili nuk e kurseu një thumbim ndaj trajnerit Murat Yakin.
“Është gjithmonë e vështirë të analizosh një ndeshje. Ndryshuam planet tona, por ky ndryshim nuk dha frytet që prisnim. Nuk u shprehëm në mënyrën tonë, pavarësisht se e dinim mirë se çfarë duhej bërë. Duhet të pranojmë zgjedhjet e trajnerit, edhe pse u habitëm disi… ”, deklaroi Xherdan Shaqiri.
Në fund një mesazh për tifozët helvetë për humbjen e thellë: “Nuk ishim vetvetja, në emër të skuadrës dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve zviceranë“.
