Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Milan–Bologna, ora 20:45, “Djalli” me ambicie dhe entuziazëm në start

Përgatiti: Alked Gjebrea

Milani çel edicionin e ri në Serinë A me Bolonjën, me shpresën e madhe se ky sezon do të jetë krejt i ndryshëm nga ai që u mbyll në fillimin e muajit gusht. Një sezon i gjatë e i lodhshëm, por mbi të gjitha plot luhatje për kuqezinjtë, që sidoqoftë e mbyllën kampionatin e fundit në një formë të shkëlqyer.

Në 16 muajt e fundit drejtuesit ndryshuan tre trajnerë dhe stafeta u përcoll nga Gennaro Gattuso te Marco Giampaolo, për të përfunduar në duart e trajnerit aktual, Stefano Pioli. 54-vjeçari emilian fillimisht u duk në vështirësi dhe të gjithë menduan se Pioli do të bëhej viktima e radhës, megjithatë trajneri nga Parma ia doli mbanë për t’i dhënë fund shkarjes dhe rrëzimit që pësuan kuqezinjtë, duke i rikthyer në njëfarë mënyre skuadrës edhe dinjitetin e humbur.

Stefano Pioli fitoi besimin e drejtuesve duke u shpërblyer në mënyrë të merituar edhe me një kontratë të re, që tashmë i krijon 54-vjeçarit edhe mundësinë për të kërkuar edhe hopin e nevojshëm cilësor, për të rikthyer klubin e famshëm lombard në nivelet më të larta të futbollit italian.

Milani i fitoi të gjitha ndeshjet miqësore dhe e filloi zyrtarisht sezonin e ri në Dublin në Europa League, me një fitore pa shumë probleme ndaj Shamrock Rovers. Një takim i kontrolluar nga fillimi në fund, që iu mundësoi kuqezinjve edhe përballjen me klubin norvegjez Bodo Glimt të enjten e ardhshme, në turin e tretë kualifikues në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës. Me gjithë sfidën me Shamrock Rovers Milani numëron plot 14 ndeshje radhazi pa humbje në të gjithë kompeticionet. Humbja e fundit pra mbetet disfata me Genoan brenda në “San Siro”, në muajin mars, pikërisht në takimin e fundit të zhvilluar përpara se të gjithë t’u nënshtroheshin izolimit dhe masave të forta shtrënguese të pandemisë së Koronavirusit.

Që nga mesi i muajit qershor, pas barazimit 0-0 në duelin e kthimit me Juventusin, në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë, kuqezinjtë fituan 9 nga 12 ndeshjet e mbetura në Serinë A, duke barazuar vetëm me ekipe si Spal, Napoli dhe Atalanta. Në sezonin 2018-19 Milani i Gatuzos humbi zonën Champions për thjesht një pikë më pak se klubi i Interit, ndërsa edicionin e kaluar pavarësisht ecurisë së tyre shumë të mirë në fazën e dytë kuqezinjtë e përfunduan kampionatin vetëm në pozicionin e gjashtë, 12 pikë larg Lazios, ekipit që e mbylli Serinë A pikërisht në vendin e katërt.

Sezoni i ri pritet me shumë optimizëm, pasi diferencat e mëparshme duket se janë ngushtuar ndjeshëm dhe tani Milani i ka të gjitha mundësitë për të synuar lart. Edhe në merkato krerët e klubit kanë lëvizur në mënyrë të kujdesshme, megjithatë spikasin natyrisht afrimet e dy futbollistëve vërtet shumë të talentuar si Brahim Diaz dhe Sandro Tonali.

Stefano Pioli ka ditur të ndërthurë në mënyrë tepër efikase eksperiencën e jashtëzakonshme të veteranit Zlatan Ibrahimovicit me pjesën tjetër të skuadrës, gjithsesi në takimin hapës të kampionatit italian trajneri emilian nuk do të ketë në dispozicion futbollistë si Musacchio, Romagnoli, Andrea Conti dhe Rafael Leao.

Në stadiumin “Giuseppe Meazza”, në orën 20:45, do të zbresë skuadra e Bolonjës, që drejtohet pikërisht nga ish-trajneri i Milanit në sezonin 2015-16, Sinisa Mihajlovic. Karriera e 51-vjeçarit nga Vukovari te Milani zgjati vetëm 10 muaj dhe, për hir të së vërtetës, pasi u zëvendësua nga Cristian Brocchi, kuqezinjtë e mbyllën kampionatin në atë sezon vetëm në vendin e shtatë, shumë larg zonës Champions.

Kuqeblutë nuk do të kenë në kryeqendrën lombarde kilianin Gary Medel, që është i skualifikuar, sidoqoftë vitet e fundit përballjet me Milanin ngjajnë vërtet me një mision të pamundur për skuadrën emiliane. Kuqezinjtë kanë një muaj të lehtë në kalendar dhe takimi i parë i vërtetë për Milanin do të jetë derbi i Madoninës me Interin më datë 17 tetor.

Sa i përket bilancit të përgjithshëm, Milani ka fituar 8 nga 9 sfidat e fundit ndërmjet tyre në Serinë A dhe përjashtim bën vetëm barazimi pa gola që këto dy skuadra kanë regjistruar dy vjet më parë, në stadiumin “Dall’Ara”.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...