Connect with us

Hi, what are you looking for?

Europa League

Milani me “Mission Impossible” në “Emirates”, Arsenali luan sezonin

16 skuadrat e mbetura luajnë aktin e dytë të ndeshjeve të fazës së 1/8 në Europa League, prej nga ku do të dalin përfundimisht edhe tetë ekipet që do të marrin pjesë në shortin e mëtejshëm, që do të hidhet ditën e premte në mesditë, në Nyon të Zvicrës, megjithatë një hap pothuajse të sigurtë drejt kualifikimit ka hedhur Arsenali, që javën e kaluar ia doli mbanë për të dalë nga Lombardia me një rezultat shumë të mirë, falë suksesit 2-0 brenda në stadiumin “Meazza” ndaj Milanit.

Për hir të së vërtetës “topçinjtë” as nuk vuajtën dhe morën rezultatin e dëshiruar falë dy golave të realizuar që në pjesën e parë, me anë të dyshes Mkhitaryan – Ramsey. Humbja e pësuar në Milano përbën disfatën e parë të “kuqezinjve” pas plot 13 pozitive në të gjithë kompeticionet, sidoqoftë Arsenali për ekipin e Gatusos tani ngjan me një mal tepër të lartë për t’u kapërcyer, pasi në Emirates skuadra e Arsene Wenger luan gjithë sezonin.

Pavarësisht kontratës që ka me drejtuesit e klubit për veteranin francez tashmë gjithçka është e qartë, sepse nëse “gunners” dështojnë për të ngritur trofeun në Europa League atëherë edhe e ardhmja e 68-vjeçarit nga Alsasa do të jetë larg ishullit. Vendasit kërkojnë të imitojnë Manchester United dhe të përmbushin objektivat sezonalë nëpërmjet këtij aktiviteti, pasi në Premiership Arsenali gjendet i distancuar plot 12 pikë nga Liverpooli i vendit të katërt, sidoqoftë të njëjtën gjë në anën tjetër kërkojnë edhe “kuqezinjtë”, pasi edhe ata pozicionohen në vendin e gjashtë në Serinë A, por me mundësi shumë më të mira, sepse në kampionatin italian miqtë kanë edhe 11 takime për të luajtur, kuptohet duke marrë në konsideratë edhe derbin e Madoninës, për më tepër ekipi i Milanit nuk është aq shumë i distancuar në tabelën e renditjes.

Mbi të gjitha bëhet fjalë për një ndeshje prestigji, por tek e fundit përballjet anglo – italiane janë gjithmonë të tilla. “Topcinjtë” përfaqësojnë klubin e vetëm anglez, që ka mbijetuar në këtë kompeticion deri në këtë fazë, megjithatë është e kuptueshme që falë mënyrës së tyre të lojës vendasit do të synojnë thjesht të administrojnë avantazhin duke dominuar nëpërmjet mbajtjes së topit. Arsenali shquhet për bilancin e shkëlqyer me skuadrat italiane, teksa numëron 16 fitore e vetëm 8 humbje në 32 takime gjithsej, ndërkaq klubi i famshëm italian ka fituar më pak se 1/3 e ndeshjeve ndaj skuadrave angleze.

Përpara këtij takimi i bindur se ekipi i tij mund të bëjë shumë më tepër sesa në sfidën e parë trajneri Gennaro Gatuzo plot krenari deklaroi se te Milani kanë lindur gati për ndeshje të tilla, duke shtuar se në futboll nuk ka gjë më të bukur sesa përmbysja e parashikimeve dhe gjithashtu e historisë, ndërsa Arsene Wenger u kundërpërgjigj duke thënë se i mjafton vetëm kualifikimi dhe nuk i intereson aspak fakti nëse ekipi i tij është apo jo favorit.

Kuqezinjtë paraqiten në Londër me moral të lartë pas golit të realizuar në Marassi nga Andre Silva në sekondat e fundit në takimin ndaj Genoas, gjithsesi është fakt që skuadra e Milanit nuk ka arritur dot as të shënojë në Londër, në tre përballjet që kanë patur këto dy skuadra ndërmjet tyre. Takimi do të luhet në Stadiumin Emirates, në orën 21:05 dhe do të drejtohet nga gjyqtari i mirënjohur suedez Jonas Eriksson.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...