Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Milani pa “mëshirë” ndaj Bolognës, dominon dhe triumfon me goleadë

Milani konfirmohet si një prej skuadrave më në formë që prej rifillimit të kampionatit, pasi mbrëmjen e sotme mori fitoren e gjashtë në tetë ndeshje të zhvilluara dhe tani e sheh gjithnjë e më pranë arritjen e objektivit për një vend në zonën Europa League të renditjes.

Sinisa Mihajlovic kishte kërkuar “mëshirë” nga Zlatan Ibrahimovic para ndeshjes dhe suedezi kështu bëri, pasi e nisi ndeshjen me një përqafim me mikun e tij dhe nuk la gjurmë në sfidë, por nuk toleruan aspak kuqezinjtë e tjerë, që dominuan dhe regjistruan suksesin me rezultatin e thellë 5-2.

Sfida nisi mjaft vrullshëm për të besuarit e Stefano Piolit, që pasi testuan 2-3 herë aftësitë e Skorupskit, arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 10’ me anë të belgut Saelemaekers, i cili shënoi golin e tij të parë në Serinë A.

Ishte një këmbëngulje e gjatë e Rebiç nga krahu i majtë i sulmit, me kroatin që pasi dehu me disa finte Danilon, nisi me thembër Theo Hernandez, ndërsa ky i fundit shërbeu saktë në zonë, aty ku Ibrahimovic hapi këmbët për të lënë topin për Saelemaekers.

Skuadra milaneze nuk e uli aspak ritmin pas golit të avantazhit dhe vijoi të kërcënojë kuadratin e Skorupskit, ndërsa në minutën e 24-t ishte turku Hakan Calhanoglu që shfrytëzoi një spastrim të gabuar të portierit të Bolognës, për të shënuar edhe golin e dytë.

Goli zgjoi Bolognën, që filloi të shohë më shpesh nga zona e Donnarummës, kryesisht me Ricardo Orsolinin, që dukej i karikuar edhe nga kritikat e Mihajlovic, por sërish rastet më të mira për shënim i pati Milani me anë të Franck Kessie, që në dy momente “flirtoi” me golin e tretë të ndeshjes.

Megjithatë kur dukej se 45-minutëshi i parë do të mbyllej me avantazhin e dyfishtë të kuqezinjve, ishte mbrojtësi japonez Takehiro Tomiyasu që mori një top mbi vijën e zonës së 16 metrave nga Sansone dhe lëshoi një të majtë të hidhur, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së Donnarummës.

Kuqeblutë provuan ta nisin në mënyrën e duhur edhe pjesën e dytë, por një sulm i shpejtë i vendasve me protagonist mesfushorin Bennacer, bëri që mesfushori algjerian të gjejë gjithashtu golin e tij të parë me fanellën e kuqezi dhe të tretin për Milanin në këtë takim.

Pak minuta më vonë ishte i zakonshmi Ante Rebic, që pasi mori një top nga Ibrahimovic në zonë, u rrotullua bukur duke lënë të shtangur mbrojtësin Danilo dhe më pas gjuajti e mposhti për herë të katërt portierin Skorupski.

Pak para vërshëllimës finale ishte mbrojtësi Calabria që mori një pasim nga Leao dhe shënoi golin e pestë për Milanin, duke vulosur rezultatin final 5-1.

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 20 pikë në 8 ndeshje që prej rifillimit të kampionatit dhe janë skuadra që ka bërë më mirë bashkë me Atalantën, ndërsa tani renditen në vendin e 7 me 56 pikë.

Pesë javë pa fitore, Verona ndalet ndaj Atalantës dhe shuan shpresat për Europën

Caputo shënon sërish, Sassuolo ndalet nga Cagliari me 10 futbollistë

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Premier League

Armando Broja mund të përdoret nga Chelsea për të balancuar financat, duke u nxjerrë në shitje. Blutë kanë shpenzuar shuma marramendëse në sesionet e...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...