Europa League luan këtë të enjte raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe, ku spikasin disa sfida interesante të cilat do të keni mundësi të ndiqni live në ekranin e Supersport ashtu si edhe golat direkt nga të gjitha sfidat që do të luhen mbrëmjen e sotme në dy fasha oraresh 18:55 dhe 21:00. Milani pa Ibrahimovic do të kërkojë të hakmerret ndaj Lille për atë humbje 0-3 në San Siro tre javë më parë. Në Francë parashikohet një ndeshje shumë e luftuar mes dy skuadrave që përveç kualifikimit duan edhe kreun e grupit. Lillë-Milan do të transmetohet në Supersport ndërkohë që në orën 18:55 do të keni mundësi të ndiqni edhe sfidat Maccabi Haifa-Villareal dhe CSKA Moskë-Feyenoord, takime ku skuadrat mike janë disi më të favorizuara për të marrë maksimumin. Në mbrëmje në orën 21:00, Napoli pret Rijekan në San Paolo një ndeshje që do të kërkojë ta fitojë me çdo kusht jo vetëm për të ruajtur kreun e grupit por edhe të nderuar emrin e legjendës së kaltër Diego Armando Maradona i cili u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, një ditë më parë. Në ekranin e Supersport do të ndiqni edhe sfidat Cluj-Roma dhe AZ Alkmaar-Real Sociedad në të enjte të mbushur me evente sportive nga Europa League në ekranin e Supersport.
