Pas ndeshjes me Laçin, trajneri serb i Kukësit, Mladen Milinkoviç u shpreh i kënaqur me fitoren, por jo aq shumë me lojën e shfaqur nga ekipi i tij.
“Jam i kënaqur për fitoren dhe sidomos për golat e shënuar nga reparti i sulmit, pasi në këto javë të para, në përgjithësi ekipet e Superligës kanë shënuar shumë pak. Gjithsesi mund dhe duhet të luanim shumë më mirë dhe ta menaxhonim më mirë ndeshjen”, tha trajneri serb i verilindorëve.
Milinkoviç vlerësoi angazhimin e futbollistëve të tij, por pranoi se çdo ndeshje e Superligës është shumë e vështirë, ndaj duhet punuar shumë për të fituar.
“Në këto javë të para, më duhet të pranoj se ekipet luajnë shumë të kujdesshme dhe është shumë e vështirë të gjesh hapësira. Prandaj duhet të punojmë që të jemi më të shpejtë, sidomos në qarkullimin e topit në mesfushë dhe të menaxhojmë mirë situatat”, u shpreh Milinkoviç.
Në fund trajneri i Kukësit ka edhe një vlerësim për sulmuesin azer, Alijev, i cili sot ishte protagonist në rastin e autogolit të Fangajt, që zhbllokoi ndeshjen.
“Alijev është një futbollist mjaft i mirë, që e njeh mirë zonën dhe do të shënojë shumë gola. Ai vrapon shumë dhe shpenzon shumë energji, ndaj detyrohem ta zëvendësoj gjithmonë, gjithsesi po punojmë që ai të qëndrojë më shumë në zonë dhe të mendojë për të shënuar”, mbylli Mladen Milinkoviç.
