Connect with us

Hi, what are you looking for?

Moshat Kuqezi

Miqësoret me Malin e Zi / Trajneri i Kombëtares U-16 analizon paraqitjen e kuqezinjve dhe elementët e fituar

Kombëtarja shqiptare U-16 zhvilloi brenda pak ditësh dy miqësore me Malin e Zi U-16, me të parën që u luajt në Podgoricë më 7 dhjetor dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 1-0, ndërsa sfida e dytë u luajt në stadiumin “Reshit Rusi” në Shkodër më 9 dhjetor dhe u mbyll me suksesin e malazezëve 2-0.

Trajneri i ekipit kuqezi, Agron Kërçova kishte ftuar për këto miqësore 24 lojtarë të vitlindjes 2007 me 10 prej tyre që aktivizohen në klube të huaja, më së shumti nga Italia. Bëhet fjalë për një pjesë të lojtarëve që janë testuar në Kombëtaren U-15 më parë, ashtu sikurse ka edhe lojtarë që janë testuar nëpër seleksionime të ndryshme.

Trajneri i Kombëtares U-16, Kërçova, duke folur për Fshf.org në përfundim të këtyre dy ndeshjeve vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të grumbulluar dhe u shpreh optimist për disa nga elementët e kësaj skuadre për të ardhmen.

“Në vija të përgjithshme jam i kënaqur që na u dha mundësia të zhvillonim këto miqësore me Malin e Zi, sepse ndeshje të tilla janë gjithmonë shumë të vlefshme dhe të domosdoshme për të testuar ekipin dhe lojtarët e rinj në veçanti.

Ne kemi bërë një punë të gjatë në kuadër të seleksionimeve me lojtarët e spikatur dhe në rastin konkret kishim ftuar pesë lojtarë të rinj në skuadër, për t’i parë në aksion më nga afër. Mund të them që nga grupi që kishim në dispozicion për këto dy miqësore me Malin e Zi kemi elementë të mirë e që premtojnë se mund të jenë mjaft të vlefshëm për ekipin Kombëtar U-17 në të ardhmen”, – thotë Kërçova. – Siç e kemi thënë ky është misioni kryesor i stafit teknik të Kombëtares U-16, të zbulojmë sa më shumë lojtarë të talentuar dhe t’i përgatisim për Kombëtaren U-17 e njëkohësisht të monitorojmë në vazhdimësi përmes seleksionimeve e miqësoreve sa më shumë lojtarë, qoftë nga kampionati shqiptar, qoftë nga kampionate të huaja”.

Më tej, tekniku thekson se duhet punuar më shumë nëpër klube edhe për aspektin fizik të lojtarëve, ndërsa përmendi edhe disa lojtarë të talentuar që sipas tij paraqesin perspektivë për të kaluar në Kombëtaren U-17.

“Ajo që mund të them pas këtyre dy ndeshjeve për këtë grup, është se duhet punuar më shumë në aspektin fizik, pasi pashë një farë rënieje të gjendjes së lojtarëve sidomos në ndeshjen e dytë. E njëjta gjë për lojtarët e kampionatit shqiptar dhe ato që vinin nga jashtë, por kjo mbase mund të vijë edhe për shkak të ndeshjeve të shumta që mund të kenë luajtur gjatë këtij sezoni.

Më kanë pëlqyer në këto ndeshje lojtarë si Mavriqi, Nuredini apo Gici, që normalisht ne do t’i ndjekim në vazhdimësi. Shpresojmë shumë që nga ky grup të mund të kemi lojtarë të gatshëm për t’i vënë në dispozicion të Kombëtares U-17, duke nisur që nga Elite Round i Europianit U-17 që luhet në muajin mars”, – deklaroi ndër të tjera trajneri i Kombëtares U-16.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...