Në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli”, trajneri i Kukësit, Mirel Josa, duke analizuar ndeshje tha se barazimi ishte i drejtë.
“Teuta, për mendimin tim iu përshtat më mirë terrenit në pjesën e parë, nuk na lanë të luanim poshtë. Ata bënë presing dhe ne bëmë sulme sporadike, dolëm 3-4 herë përpara. E pësuam me penallti. Në pjesën e dytë ndryshuam lojën komplet. Më vjen keq që e pësuam golin e Bregut për naivitet. Me një pas nga 40 metra të mbetet Gruda aty dhe të mos e fitosh topin! Pastaj u hap loja, ndryshuam lojën.
Barazimi, i drejtë: “Nëse do të ishim më bashkëpunues, mund ta mbyllnim ndeshjen. Do të fitonim me rastin e Ibraimit, por edhe do ta humbnim ndeshjen në rastin e shtyllës së Vilës. Barazimi është i merituar, por nuk kishim ardhur për një pikë. Barazimi nuk u bën mirë ekipeve. Sulmet nuk duhet t’i bëjmë me nxitim, ky është problemi ynë”.
Ndryshimi i rreshtimit: “I kërkova skuadrës të luajë me logjikë, kaluam më 4-4-2 dhe 4-1-4-1. Mesfushorët e qendrës punuan mirë. Eze është finalizuar dhe kontaktin me topin nuk e ka të mirë, duhej futur Ibraimi dhe Gashi në lojë.”
Eze para Ibraimi? “Me thënë të drejtën, nuk kisha besim fare. Ibraimi ka pasur një dëmtim dhe u mor vesh me të. Kaq ishte.”
