Flamurtari vazhdon të përforcohet. Kuqezinjtë kanë si objektiv rikthimin në Superiore dhe drejtuesit vazhdojnë të sigurojnë afrime për trajnerin Emiliano Çela.
Klubi nga Vlora ka njoftuar përforcimin e sulmit me shërbimet e Alexandre Di Estefano. 30-vjeçari brazilian vjen nga Customs Utd, skuadër e divizionit të dytë në Tajlandë.
Ai ka luajtur më parë edhe me skuadra të tjera tajlandeze, ndërkohë që përveçse në vendlindje, ka provuar disa aventura në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Në Vlorë është rikthyer Fjoralb Deliu, i cili luan si qendërmbrojtës dhe mesfushor “shkatërrues”. Ai ka dalë nga moshat e Flamurtarit, teksa ka luajtur edhe me Tiranën, Strugën, Kastriotin, Labërinë dhe Orikun.
Tani, 26-vjeçari rikthehet në shtëpi me misionin për të ndihmuar skuadrën e zemrës në realizimit të objektivit Superiore.
Flamurtari ka siguruar më parë shërbimet e emrave si Fabio Hasa, Eni Imami, Aleksa Mrdja, Aldo Teqja, Elvi Berisha, Antonio Ilieski dhe Silvio Zogaj.
