Fitorja ndaj Kukësit rikthen qetësinë në Gjirokastër pasi Luftëtari është vetëm një hap larg mbijetesës. Gjirokastritët pas suksesit ndaj verilindorëve ruajtën diferencën prej 5 pikësh me Kastriotin e vendit të 9-të, duke u shkëputur nga Tirana me 3 pikë. Në një situatë të tillë 3 javë përpara mbylljes së edicionit bluzinjtë favorizohen edhe nga kalendari, që i sheh në avantazh me dy rivalët, nisur dhe nga fakti që në javën e 34-t do të marrin fitoren e radhës, duke qënë se përballë kanë Kamzën e skualifikuar nga kampionati. Një tre pikësh shumë i rëndësishëm pasi dy ndjekësit në garën e mbijetesës Tirana dhe Kastrioti do të përballen me njëra-tjetrën.
Në rast se bardheblutë marrin minimalisht një pikë atëherë llogaritë e mbijetesës për Luftëtarin mbyllen dy javë përpara fundit të edicionit, pasi diferenca me Kastriotin do të thellohej në të paktën 7 pikë. Në rastin e kundërt, nëse Kastrioti fiton me Tiranën atëherë gjirokastritëve u nevojitet vetëm një pikë në dy javët e mbetura për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve. Në javët pasardhëse kalendari rezervon transfertën e Korçës dhe sfidën në shtëpi me Partizanin, dy rivalë të cilëve u ka marrë fitoren këtë edicion. Për këtë arsye fitorja ndaj Kukësit ishte një detyrim pasi formacioni i drejtuar nga Julian Ahmataj është vetëm një hap larg arritjes së objektivit, pavarësisht se trajneri bën thirrje për përqendrim pasi asgjë nuk ka përfunduar ende.
