Mesfushori i Realit të Madridit, Luka Modriç ka dhënë një intervistë për francezen L’Equipe, ku ka folur mbi të gjitha për largimin befasues të Cristiano Ronaldos dhe trajnerit Zinedine Zidane, pasi fituan 3 Champions radhazi.
Kapiteni i Kroacisë pranoi se largimi i të dyve ka qenë një befasi e madhe, jo vetëm për të, por për të gjithë ambientin madrilen, për më tepër, pas triumfit në Champions.
“Largimi i Zidane ishte një befasi e madhe për ne. I Ronaldos gjithashtu. Kur dëgjuam thashethemet për largimin e Cristianos, filluam të vëmë baste me njëri-tjetrin, që nuk do të largohet, pasi ishim të bindur që do të mbetej në Madrid. Megjithatë zgjedhjet e jetës së tij, ka të drejtë t’i bëjë vetëm ai dhe askush tjetër”, deklaroi kroati.
Luka Modriç ka qenë gjithmonë një lojtar i jashtëzakonshëm, nga më të mirët në llojin e tij, si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren kroate, por ndryshe nga portugezi, ka qenë larg vëmendjes mediatike.
“Ka qenë një zgjidhje e imja, që të mbetem larg vëmendjes së medias, pasi kështu më pëlqen. Ronaldo është një tjetër nivel futbollisti dhe normal që do të jetë në qendër të vëmendjes”, tha Luka Modriç.