Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Momentet pikante të 2017-ës

Futbolli, si çdo vit, edhe në 2017-ën dhuroi emocione të pafundme. Kështu, në Shqipëri, Kukësi u shpall kampion për herë të parë, ndërsa Superliga humbi ekipin më me shumë trofe, Tiranën. Në Kosovë triumfoi Trepça 89, që ashtu si Kukësi, fitonte titullin e parë në histori, ndërsa në Tetovë, tifo-grupi Ballistët festoi ditëlindjen e 25-të, me një spektakël të dhuruar në shkallët e stadiumit. 2017-a rezultoi e artë për Realin e Madridit, që arriti të fitojë 5 nga 6 trofetë e mundshëm, ndërsa triumfoi në Champions League për të dytin vit radhazi. Edhe Cristiano Ronaldo mbylli një vit fantastik, duke u shpallur Futbollisti i Vitit nga FIFA dhe fituar për herë të 5-të në karrierë Topin e Artë. Futbolli pa këtë vit, që t’i largoheshin disa nga artistët e këtij sporti, si Totti, Kaka, Pirlo, Gerrard, Xabi Alonso, Philip Lahm, etj.

Kukësi fiton titullin kampion në Kategorinë Superiore. Pas disa vitesh në Elitën e Kategorisë Superiore, Kukësi ia doli të ngrejë lart titullin kampion. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka zhvilloi një sezon mjaft të mirë, duke humbur vetëm një takim, atë të javës së fundit me Luftëtarin, kur kishte hipotekuar titullin. Gjithsesi, ky titull nuk kaloi pa polemika, ku pati akuza të forta për gjykimin në sfidën vendimtare, Kukësi-Skënderbeu, vetëm 2 javë nga fundi i kampionatit. Skuadra Veri-lindore siguroi pjesëmarrjen në Kupat e Europës, por aventura u mbyll që në turin e parë, ku u eliminuan nga Sherif Tiraspoli.

Tirana bie në Kategorinë e parë. Java e fundit e sezonit të kaluar solli përballjen, që shumica e sportdashësve nuk ta dëshironi të ndodhte. Nga skuadrat më në zë të futbollit shqiptar ndër vite, Vllaznia dhe Tirana u përballën në ‘Loro Boriçi’ në javën e fundit, për të përcaktuar se cila prej tyre do të qëndronte në Kategorinë Superiore. Takimi përfundoi në barazim pa gola, çka bëri që Tirana të përfundonte në Kategorinë e parë, duke sjellë zhgënjim dhe trishtim, jo vetëm te tifozët bardheblu.

Tirana triumfon në Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Ndonëse nuk ia doli të qëndrojë në Superiore, Tirana mbylli sezonin duke fituar Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë mposhtën në finale Skënderbeun, me rezultatin 2-1 dhe zbutën sadopak dhimbjen e largimit nga Superliga. Më pas, bardheblutë fituan edhe Superkupën e Shqipërisë, përballë Kukësit. Tirana mori pjesë edhe në Kupat e Europës, por shorti ishte i ashpër me bardheblutë, që u përballën me izraelitët e Maccabi Tel Avivit, duke u eliminuar pas 2 humbjeve.

Skënderbeu shkon sërish në fazën e grupeve. Korçarët e nisën aventurën europiane që nga turi i parë paraeliminator i Europa Leagues dhe pasi kaluan 4 ture, arritën për herë të dytë në histori, të sigurojnë pjesëmarrjen në fazën në grupe. Skënderbeu eliminoi me radhë Sant Julian e Andorrës, Almatin e Kazakistanit, çekët e Mlada Boleslav dhe kroatët e Dinamos së Zagrebit. Në fazën në grupe, korçarët humbën të 3 takimet në transfertë, ndërsa në ‘Elbasan Arena’ skuadra e Ilir Dajës doli e pamposhtur, duke regjistruar 2 barazime dhe 1 fitore.

Kosova mbyll fushatën e parë eliminatore. Përfaqësuesja më e re në futbollit europian, Kosova e mbylli poshtë pritshmërive fushatën e parë eliminatore për Botërorin “Rusi 2018”. “Dardanët” grumbulluan vetëm një pikë më Grupin I, edhe këtë në ndeshjen e parë në transfertë me Finlandën. Në 10 takimet e tjera përballë Islandës, Kroacisë, Ukrainës, Turqisë dhe Finlandës, pavarësisht lojërave pozitive, Kosova nuk mori qoftë një pikë. Albert Bunjaku dha dorëheqjen nga drejtimi e Kosovës, pas 8 viteve në krye të saj. Federata e Futbollit të Kosovës është në kërkim të një trajneri të huaj, ndërsa për momentin ekipi drejtohet nga Muharrem Sahiti, nën drejtimin e të cilit Kosova fitoi 4-3 me përmbysje miqësoren me Letoninë, që ishte dhe ndeshja e fundit për 2017-ën.

Trepça ’89 triumfon në Superligën e Kosovës. Trepça ‘89 u shpall kampione e Kosovës për edicionin 2016-2017, duke e siguruar titullin e parë në histori 3 javë para përfundimit të kampionatit. Skuadra nga Mitrovica grumbulloi në total 77 pikë në 33 takime. Eksperienca e parë Trepçës ’89 në Europë u mbyll me eliminimin që në raundin e parë kualifikues të Champions League-s nga Vikingur e Ishujve Faroe me rezultat të përgjithshëm 6-2.

Besa e Pejës fitoi Digitalb Kupën e Kosovës për edicionin 2016-2017. Skuadra pejane arriti të triumfonte 4-2 me 11-metërsha në finale ndaj Llapit të Podujevës, pasi koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën në barazim 1-1. Besa nuk pati mundësi të merrte pjesë në Europa League në edicionin aktual, pasi nuk kishte plotësuar kushtet e licencimit nga UEFA.

Shkëndija dhe 25-vjetori i Ballistëve. Shkëndija e Tetovës mban lart flamurin shqiptar në Maqedoni. Kuqezinjtë realizuan një fushatë mjaft të mirë eliminatore në Europa League, por u eliminuan në turin e 4-t nga gjigantët e Milanit. Gjithashtu, këtë sezon, skuadra tetovare kryeson bindshëm kampionatin maqedonas dhe vijon të avancojë drejti titullit kampion. Gjithashtu, tifogrupi i kësaj skuadre, por edhe I Kombëtares shqiptare, Ballistët e Tetovës, festuan 25-vjetorin e themelimit. Gjithçka u bë në një atmosferë spektakolare në derbin e Tetovës mes Shkëndijës dhe Renovës, ku Ballistët ‘ndezën’ stadiumin e qytetit të dytë më të madh në Maqedoni.

Reali i Madridit, sërish në fronin e Europës. 2017-ta ishte viti i Los Blancos në çdo aspekt, pasi Reali i Madridit fitoi pothuajse gjithçka. Madrilenët bënë të tyrin trofeun e Champions League për të dytin vit radhazi dhe për të 12-ën herë në histori, duke u bërë skuadra e parë që triumfon 2 herë rresht në këtë kompeticion, që prej vitit 1994, kur Champions-i ndryshoi format. Skuadra e Zidane shpartalloi në finalen e madhe Juventusin e Massimiliano Allegrit, me rezultatin 4-1. Në stadiumin ‘Millenium’ të Cardiffit, shkëlqeu Cristiano Ronaldo me një dygolësh, me portugezin që në fund u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

Në Europa League festoi Manchester United. Djajtë e Kuq e triumfuan për herë të parë në historinë e tyre në këtë kompeticion, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në ‘Friends Arena’ të Stockholmit, skuadra e Jose Mourinhos mposhti me rezultatin e pastër 2-0, Ajaxin e Amsterdamit, duke siguruar edhe kualifikimin në Champions League për këtë edicion. Pogba dhe Mkhitaryan me golat e tyre vendosën sfidën, ndërsa spanjolli Ander Herrera u shpall lojtari më i mirë i takimit.

Superkupa e Europës për herë të parë u luajt në Maqedoni. Në Shkup në stadiumin ‘Philipi 2’ zbritën në fushë 2 nga skuadrat më të mëdha të Europës. Ishte një spektakël i vërtetë, sfida mes Realit të Madridit dhe Manchester United, që përfundoi gjithçka me fitoren 2-1 të Los Blancos. Casmiro, Isco dhe Lukaku për United ishin autorët e golave, me Realin e Madridit që në fund fitoi për herë të 3-të në histori, trofeun e Superkupës së Europës.

Real Madrid fiton Botërorin e Klubeve. Edhe Botërori i Klubeve, që këtë vit u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe, u bë pronë e Realit të Madridit, që mbyllin në mënyrën më të mirë vitin 2017-ën, me 5 trofe të fituar. Pasi eliminuan me vështirësi vendasit e Al Jaziras në gjysmëfinale, Los Blancos në finale iu falën golit të Cristiano Ronaldos, për të mposhtur brazilianët e Gremios 1-0 dhe për ta fituar për herë të 3-të në 4 vitet e fundit, Botërorin e klubeve.

Reali triumfon në La Liga. Më 21 maj të 2017-ës me suksesin në fushën e Malagas, Reali i Madridit fitoi titullin e La Ligas pas një thatësire prej 5 vitesh. Ky ishte titulli i 33-të në histori për klubin merengues dhe i pari për Zinedine Zidane si trajner. 93 pikë grumbulloi Reali i Madridit duke lënë pas, Barcelonën që e mbylli kampionatin me 90 pikë dhe Atleticon e Madridit që u rendit në vendin e 3-të me 78 pikë. Kupën e Mbretit e fitoi Barcelona, që mposhti në finale modestët e Alaves, ndërsa Superkupa e Spanjës shkoi për Realin që e mposhti në të 2-ja ndeshjet Barçën.

Në Angli ishte viti i Chelsea-it. Në sezonin e tij të parë në krye të Bluve të Londrës, Antonio Conte fitoi kampionatin por edhe Kupën e Mbretëreshës FA Cup. Chelsea nuk kishte rivalë në Premier League duke fituar për herë të 6-të në histori titullin kampion. Blutë e Londrës lanë pas Tottenhamin me 7 pikë më pak, pasi Chelsea e mbylli kampionatin në kuotën e 93 pikëve, ndërsa 4-shja e parë u kompletua nga Manchester City dhe Liverpooli. Në FA Cup, skuadra e Contes mposhti Arsenalin, ndërsa Kupa e Ligës u fitua nga Manchester United. Në Superkupën e Anglisë ose siç quhet ndryshe Community Shield, fati i buzeqëshi Arsenalit, që kaloi pas goditjes së penalltive Chelsea-in.

Në Itali Juventusi triumfoi sërish. Bardhezinjtë vendosën një rekord absolut në Serinë A duke fituar për herë të 6-të radhazi titullin kampion. Me 4 pikë më pak Roma u rendit e dyta ndërsa Napoli e mbylli kampionatin në vendin e 3-të. Zhgënjyen përsëri 2 skudrat e Milanos me Milanin e Interin që ndanë mes tyre vendin e 6-të dhe të 7-të. Edhe Kupa e Italisë u fitua nga Juventusi që mposhti në finalen Lazion, por skuadra e Simone Inzaghit u ktheu reston bardhezinjëve duke u marrë trofeun e Superkupës së Italisë.

Bayerni i Mynihut vendosi një rekord absolut në Gjermani. Bavarezët fituan për herë të 5-të rresht titullin në Bundesliga. Ky ishte titulli i 27-të në histori për Bayernin, që e dominoi kampionatin nga fillimi në fund dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim triumfin. Bayerni la pas debutuesit e Leipzigut, që ishin surpriza e vërtetë e sezonit, ndërsa vendi i 3-të i takoi Borussias së Dortmundit, e ndjekur nga Hoffenheim. Kupa e Gjermanisë u fitua pikërisht nga verdhezinjtë, që mposhtën në finale Frankfurtin, ndërsa në Superkupë fati i buzëqeshi Bayernit.

Monaco triumfon në Ligue 1. Skuadra e Principatës befasoi PSG_në e shpenzimeve marramendëse, duke fituar titullin kampion në Francë, 2 javë nga fundi i kampionatit. Skuadra e Jardim dominoi në vazhdimësi kampionatin, duke kryesuar për pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa krahas titullit, prodhoi një ecuri mjaft të mirë edhe në Champions League. Ishte pikërisht ky sezon perfekt, që bëri që Monaco të shndërrohej në një supermarket, për merkaton e verës, ndërsa u paguan shuma mjaft të mëdha për transferimin e futbollistëve si Mbappe, Silva, Bakayoko, Mendy, etj.

Feyenoord rikthehet në Holandë. Pas disa sezoneve nën ton, Feyenoord u rikthye te titulli kampion në Holandë, duke lënë pas emra si PSV-ja dhe Ajaxi. E drejtuar nga ish futbollisti i Barcelonës, Giovanni Van Bronckhorst, Feyenoord arriti të kryesojë thuajse nga fillimi dhe të mbyllë sezonin si triumfuese në Eredivisie.

Italia jashtë botërorit. Kishte ndodhur 60 vite më parë dhe u përsërit sërish këtë herë. Pasi e mbylli edicionin e grupeve në vendin e dytë, pas Spanjës, Italia e Venturës u përball në Play Off me Suedinë, ku humbi me rezultatin e përgjithshëm 1-0 dhe mbeti sërish jashtë kompeticionit sportiv më të rëndësishëm të globit. Eliminimi i Italisë ishte një dramë për vendin, ndërsa fajtor kryesor u cilësuar ish trajneri Ventura, që edhe u shkarkua vetëm pak ditë më pas.

Shorti i Botërorit premton spektakël. Në një ceremoni spektakolare, me pjesëmarrjen e shumë futbollistëve, ish futbollistëve, trajnerëve dhe politikanëve të ndryshëm, u organizua ceremonia e hedhjes së shortit për grupet e botërorit ‘Rusi 2018’. Portugali-Spanjë, Angli-Belgjikë dhe Argjentinë-Kroaci janë 3 nga përballjet më të zjarrta të fazës së grupeve të Botërorit, që do të startojë me sfidën Rusi-Arabia Saudite.

Cristiano Ronaldo fiton Topin e Artë dhe FIFA World Player. Ylli portugez i Realit të Madridit triumfoi për herë të 5-të radhazi, në trofeun personal më prestigjoz të globit, Topin e Artë. Ronaldo barazoi Messin në listën e futbollistëve që e kanë fituar më shumë këtë trofe, ndërsa në renditjen e 2017-ës la pas pikërisht argjentinasin dhe brazilianin Neymar. Portugezi arriti të fitojë edhe çmimin FIFA World Player, që jepet për futbollistin më të mirë të sezonit 2016-2017. Triumfi në Champions me Realin e Madridit dhe golat e shumtë të shënuar në këtë kompeticion, ishin vendimtarë në votimin e Cristiano Ronaldos.

“Këpuca e Artë” shkon për Lionel Messin. Ylli argjentinas u shpall golashënuesi më i mirë për sezonin 2016-2017 në kampionatet europiane, duke fituar çmimin e “Këpucës së Artë” për të 4-tën herë në karrierë. Me 37 finalizimiet e tij, argjentinasi barazoi rekordin e Cristiano Ronaldos, që gjithashtu e ka fituar 4 herë këtë trofe individual. Pas dy futbollistëve më të mirë të kampionatit spanjoll, nga dy herë e kanë fituar “Këpucën e Artë” emra të tillë si Muller, Eusebio, Georgescu, Fernando Gomes, McCoist, Jardel, Henry, Forlán dhe Luis Suárez.

Totti, Pirlo, Kaka, Lahm, Gerrard, Xabi Alonso – Sa shumë lamtumira. 3 emra të mëdhenj të futbollit botëror, Francesco Totti, Andrea Pirlo dhe Ricardo Kaka vendosën t’i japin lamtumirën futbollit të luajtur, duke ‘varur këpucët në gozhdë’. I pari që njoftoi tërheqjen ishte kapiteni legjendar i Romës, që në fund të sezonit të kaluar, ndërsa bëri të përlotet i gjithë stadiumi ‘Olimpico’. Më pas ishte radha e Lahm, Xabi Alonso dhe Gerrard, që njoftuan lamtumirën njëri pas tjetrit. Në fund ishte Andrea Pirlo dhe brazilianit Kaka, që nga Shtetet e Bashkuara, ku vijonin të luanin, deklaruan fundin e karrierës si futbollistë profesionistë.

Ronaldo bëhet i pari futbollist që shënon në të 6 ndeshjet e grupeve në Champions. Cristiano Ronaldo shënon në sfidën ndaj Borusias së Dortmundit më 6 dhjetor dhe bëhet futbollisti i parë që shënon në të gjitha takimet e fazës në grupe të Champions League. Portugezi ka shënuar 9 gola në total, në sfidat ndaj Tottenhamit, Apoel Nicosias dhe Borusia Dortmundit. Cristiano Ronaldo kryeson edhe renditjen aktuale të golshënuesve të Championsit.

Gjermania triumfon në Kupën e Konfederatave. Kombëtarja e drejtuar nga Joakim Low, ndonëse me shumë emra të rinj në skuadër, arriti të triumfojë edhe në Kupën e Konfederatave. Në kompeticionin e organizuar në Rusi, ‘Pancerat’ triumfuan me rezultatin 1-20 në finale ndaj Kilit, duke shtuar një tjetër trofe dhe hedhur kandidaturën për të fituar edhe Botërorin rus, vetëm 1 vit më pas.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...