Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Monotonia që po “vret” popullaritetin e futbollit

Të gjithë e mbajmë mend sezonin e parë të Mourinho-s te Reali i Madridit, dhe humbjen turpëruese 5 me 0 nga Barcelona, në transfertë, në “Camp Nou”. Tifozët madrilenë, të pakënaqur, e vërshëllenin Mourinhon edhe kur ekipi i tij fitonte. Në atë vit, Mourinho aplikoi futboll mbrojtës, që është taktika me të cilën identifikohet. Mourinho pa atë mënyrë loje, nuk ekziston. Dhe vërtetë, Mourinho megjithëse formalisht ishte në Madrid, në dy vitet e tjera, ai ishte vetëm sa për sy e faqe. Sa për të motivuar ekipin, sepse Real Madridi nuk kishte taktikë, por luante për të shënuar gola e për të argëtuar tifozët.

Njësoj edhe me Manchester United. Vitin e parë Mourinho u lejua të aplikonte futbollin e tij mbrojtës, që rezultoi me fitoren e Europa League-s, por vetëm me vendin e gjashtë në Premier Ligë. E ky ishte qartë dështim pas gjithë atyre investimeve, pasi tifozët në “Old Trafford” e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre, për lojën aspak argëtuese të “djajve të kuq”.

Në përgjithësi, ekipet e kanë ndryshuar mënyrën sesi luajnë futboll, pasi gjithnjë e më shumë po priren të sulmojnë, pa përjashtim, çka ka sjellë edhe më shumë gola nëpër kampionate të ndryshme europiane. Ndërkohë që, deri para 3-4 vitesh ishte shumë “më shterpë” dhe prodhonte kryesisht futboll të mërzitshëm. Sepse ky ishte futbolli përmes të cilit fitohej. Ta zëmë, kështu e fitoi Mourinho Ligën e Kampionëve me Interin dhe Porton, kështu e fitoi Italia Kupën e Botës.

Madje edhe Spanja (megjithëse, taktikë mbrojtëse këtu është posedimi i lartë i topit, që i mundësoi Spanjës të pësonte vetëm një gol në gjithë turneun e Kupës së Botës), kështu e fitoi Greqia kampionatin evropian. Por në përgjithësi, në nivel kombëtaresh nuk ka ndonjë ndryshim, sepse edhe Portugalia e fitoi në vitin 2016 Kampionatin Evropian përmes po asaj taktike. Sidoqoftë, në nivel klubesh gjërat kanë ndryshuar.

Çfarë ka ndodhur? Popullariteti i futbollit është në rrezik. Kjo lojë po bëhet bajate nga përsëritja e përvitshme dhe gati e njëtrajtshme e garave kryesore. Përgjithësisht, i kemi të njëjtët kampionë dhe të njëjtët pretendentë. Gara është mbyllur, pasi në nëntë vitet e fundit, tetë herë pjesëmarrëse në finale të Ligës së Kampionëve ishin Barcelona dhe Real Madridi. Ndërkohë, pretendentë seriozë zor se ishin më shumë se gjashtë. Ky përbën një dallim thelbësor me futbollin që luhej në vitet 90, ku gara ishte plotësisht e hapur dhe ku hapësira që i lejohej befasisë, ekipeve befasuese, ishte shumë e madhe.

Gjysma e ekipeve që merrnin pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kishin gjasa reale për të shkuar në majë. Crvena Zvezda ishte kampione, po ashtu edhe Marseja. Pastaj e kishim edhe Valencian, dy herë rresht finaliste, por tashmë, ekipet e këtij niveli as që mund të ëndërrojnë për një gjë të tillë. Shkaku? Diferenca e madhe financiare.

Sot, kampioni i Ligës, ose Ligës së Kampionëve, ose edhe pretendentët kryesorë bëhen të ditur që në verë, përmes transferimeve që bëjnë. Dhe në këtë aspekt, ekipet humbëse i thellojnë humbjet vit pas viti, sepse ekipet fituese i rrisin në vazhdimësi fitoret.

Kjo ka bërë që futbolli të jetë në dorën e një grusht njerëzish, pronarë të klubeve kryesore evropiane. Këta pronarë nuk kërkojnë me ngulm titujt, por atë që është më e nevojshme për t’i rritur profitet e tyre: spektaklin dhe golat. Arsenali, që shquhet për lojë të bukur, i ka biletat më të shtrenjta në Evropë, pavarësisht që ka fituar vetëm kupën FA në katër vitet e fundit, dhe asnjëherë Ligën e Kampionëve.

Nuk kërkohet më fitorja në stilin e Mourinhos, por loja në stilin e Wengerit e të Cruyffit. Dhe nëse Wenger nuk kishte mundësitë financiare që me Arsenalin e tij të konkurronte Real Madridin, Barçën, Bayernin, Parisin e dy Manchesterët, këta pronarë i kanë këto mundësi.

Por, Wengeri e sillte lojën e bukur sidoqoftë, me anë të futbollistëve jo aq të fortë teknikisht. Këta pronarë po e ofrojnë futbollin e bukur përmes ngushtimit të konceptit të garës dhe duke e marrë të gatshme punën që bëhet me të rinj në klube anembanë Evropës. Kjo ka bërë që futbolli real t’i përngjajë gjithnjë e më shumë atij virtual, “Playstation” psh, ku çdo aksion e çdo gol, është i disa stileve të përcaktuara qysh më parë nga teknikët e lojës, dhe ku humb ndjesia e asaj që është spontane e reale.

Futbolli i Wengerit nuk ishte thjesht i bukur. Ai kishte një dimension që këto ekipe të mëdha, e kanë të pamundur ta ofrojnë: spontanitetin. Golat që kemi parë në vitet 90, ose edhe në pesë vitet e parë të 2000-ave, mund të kenë qenë teknikisht më të parealizuar, por ishin shumë më të bukur pikërisht për shkak të skemave të pamenduara e të krijuara aty për aty. Pra, si shkak i spontanitetit.

A do ta humbë futbolli popullaritetin? Padyshim që po. Madje ky ndryshim i përnjëhershëm në taktika, është një simptomë e qartë e kësaj gjëje. Nëse gjërat vijojnë të jenë kaq të përcaktuara jashtë fushe e në fushë, atëherë audienca globale do të bëhet gjithnjë e më e ftohtë ndaj sportit më popullor në botë.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...