Vincenzo Montella është rikthyer të flasë para gazetarëve, në kuadër të ndeshjes së Europa League, ndaj Rijekës, por vëmendja ka qenë te situata e vështirë që klubi kuqezi po kalon, pas humbjes me Sampdorian. Tekniku i Milanit ka treguar se gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit dhe se bashkë me futbollistët do t’ia dalin të nxjerrin ekipin nga kjo situatë.
“Kam kaluar shumë momente të vështira në karrierën time si futbollist apo si trajner, por mund të them se në situata të tilla ia dal të jap më të mirën time. E ndjej që kam mbështetjen e Fassones dhe Mirabellit, të cilët më kanë lënë dorë të lirë në zgjedhjet teknike dhe teknike, ndaj besoj se do t’ia dalim të rikthehemi shumë më të fortë”, u shpreh Montella.
Tekniku i kuqezinjve komentoi edhe ‘viktimën’ e parë të situatës së krijuar te Milan, përgatitësin atletik Emanuele Marra, që u largua nga puna ditën e djeshme. “Me Marrën nuk kam asnjë problem dhe ai nuk është aspak fajtor për gjendjen që po kalojmë. Stafin tim e konsideroj si familje dhe Marra ishte si një vëlla për mua, por kishim disa divergjenca dhe në një moment nuk po ndjeja mbështetjen e tij, ndaj shkuam te kjo zgjidhje e dhimbshme” deklaroi Montella.
Milan do të zbresë në fushë të enjten në mbrëmje, ku do të presë kroatët e Rijekës. Takimi do të startojë në orën 21:05 dhe do të transmetohet live nga Supersport 3.
