Pak javë më parë Jose Mourinho pretendoi se Manchester United mund ta mbyllte vitin në vendin e katërt, në zonën Champions, por rezultatet e arritura nga “Djajtë e Kuq” në katër përballjet e fundin nuk japin shumë shpresë që ky objektiv do të mund të arrihet deri në fund të sezonit. Barazimi në “Old Trafford” me Arsenalin e vështirëson edhe më shumë synimin e United për të qenë mes katër më të mirave të Premier League-s. Dy herë kaluan në epërsi të besuarit e portugezit ndaj “Topçinjve”, por pa mundur që të merrnin fitoren, me sfidën që përfundoi 2-2. Në prononcimin pas ndeshjes, Mourinho, si zakonisht, e kishte në majë të gjuhës justifikimin.
“Po vuajmë shumë dëmtimet e disa futbollistëve kryesorë. Kjo krijon me të vërtetë një situatë të vështirë, që mund të kapërcehet vetëm nga shpirti i madh i lojtarëve. U munduam të kishim përqendrim që nga minuta e parë, por disa lojtarë i pashë në vështirësi. Ne duhet ta fitonim ndeshjen. Kemi bërë dy gabime të rënda në golat e kundërshtarit. Po ashtu, kemi bërë gabime të tjera, duke i dhënë Arsenalit mundësinë e kundërsulmit”.
Mourinho ishte i detyruar të hidhte në fushë një skuadër të improvizuar, me disa lojtarë që nuk kanë patur shumë minuta në këtë sezon.
“Diogo Dalot debutoi në Premier League, Marcos Rojo luajti minutat e para të sezonit, Matteo Darmian kishte ndeshjen e tretë, Eric Bailly nuk luan për disa muaj. Ata dhanë ca shenja pozitive, por ka gjëra, që nuk mund t’i marr prej tyre. Unë nuk mund të them më shumë se kaq. Preferoj vetëm të them se jam i kënaqur me shpirtin, përkushtimin dhe guximin e lojtarëve. Jam vërtet i lumtur me këtë”.
Një mbyllje me doza ironie, që lë shumë vend për interpretim. Mourinho, edhe në këtë rast, e ka të vështirë t’i gjejë përgjegjësitë te vetja, ndërsa e ka të lehtë t’i shohë problemet te lojtarët.
